Skuadra e Kukësit ka konfirmuar se do të luajë miqësoren kundër Kastriotit ditën e sotme, prej orës 18:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ekipi verilindor do të provojë veten përballë skuadrës krutane të ardhur nga Kategoria e Parë. Trajneri Peter Pakult zhvillon miqësoren e parë pas kthimit të skuadrës nga Sllovenia.
Numri një i stolit kërkon që të zgjidhë dilemat para ndeshjes në Champions League kundër Valetës së Maltës. Austriaku ka disa dilema në repartet kryesore, plus duhet të shohë dhe gjendjen e lojtarëve të afruar. Futbollistët e ardhur në merkaton e verës, jo të gjithë kishin përgatitje fizike të lartë, pavarësisht fazës përgatitore që u zhvillua në Slloveni.
Nga krahu tjetër, Kastrioti po mundohet të konsolidohet para fillimit të Kampionatit, por situata nuk duket aq e lehtë, pasi duhen bërë përforcime të rëndësishme. Trajneri Elvis Plori ka marrë një barrë të rëndë mbi shpatulla dhe ka hedhur një bast të rrezikshëm.