Me vendin e dytë praktikisht të siguruar, Kukësi po bën planet për sezonin e ardhshëm dhe këtë muaj do ta shfrytëzojë për të bërë merkato, duke nisur nga shitjet, ndërkohë që do të provohen edhe disa lojtarë.
Të parët janë nga Spanja dhe bëhet fjalë për futbollistë me CV të varfër, në fakt.
Aleks Kano është një mesfushor spanjoll 28-vjeçar, i cili ka luajtur në kategoritë e ulëta spanjolle dhe prej janarit 2016 rezulton pa ekip, ndaj nuk dihet çfarë e ka shtyrë Kukësin ta afrojë në provë.
I dyti është mesfushori 23-vjeçar Pau Otero, i cili është rritur te Barcelona, por në vitin 2014 u la i lirë dhe që atëherë nuk ka bërë dot përpara në karrierë, duke luajtur në nivele të ulëta dhe duke qenë pa ekip prej janarit 2017.