Tapet i amortizuar, tribuna “të rrjepura” dhe pa ndricim. Kampionët e Shqipërisë meritojnë të luajnë në kushte më normale
5 vite më parë në Kukës, drejtuesit e klubit bënë një pakt. Investimi do bëhej nga aksioneri kryesor Gjici, ndërsa stadium – i ndërtuar nga e para – do kishte kujdesin e Bashkisë së qytetit. Në fakt kjo bën sens. Shpenzimet për një klub elitar janë të mëdha, dhe infrastruktura kërkon ashtu sikundër kudo një lloj suporti nga pushteti lokal. Që nga ajo ditë ekipi u forcua dita ditës me lojtarë të rëndësishëm, u shpenzuan shumë para sidomos në rroga dhe suksesi sportive ishte maksimal si brenda vendit dhe në ndeshje ndërkombëtare. Projekti kulmoi vitin e shkuar me fitimin e titullit kampion. Nëse klubi ka bërë gjithçka si duhet nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Bashkinë. Përveçse pothuajse asnjëherë kontribuoi në shpenzime me përqindjen e parashikuar në ndarjen e aksioneve, stadiumin e rindërtuar në 2012 e la në mëshirë të fatit. Sot me standardin krijuar në Superiore dhe me emrin që ka Kukësi në futboll, të luajturit në atë impiant është e papranueshme. Tribunat janë “rrjepur” dhe më shumë shihet betoni se sa stolat, fusha është krejtësisht e amortizuar, ndërkohë që ndriçimi mungon dhe asnjëherë nuk mund të luhet nën prozhektorë. Ky stadium nuk licencohet as për turin e parë të Europa Ligës, ndërsa për Champions as nuk bëhet fjalë. Diçka duhet të ndryshojë dhe jo vetëm në Shqipëri, po kudo, pushteti lokal ka dhe një lloj përgjegjësie sociale për t’i hedhur sytë nga futbolli. Ca më tepër kur futbolli të bën krenar. Nuk besoj se në Kukës ka diçka më shumë për të justifikuar sloganin “krenar që jam kuksiane”.