Kukeli drejt Luganos, asnjë ofertë për Sadikun

Burim Kukeli mund të transferohet këtë verë te Lugano, që duket se nuk bën dot pa shqiptarët, sepse në sezonin e fundit ia pa hajrin Armando Sadikut, por edhe Ezgjan Alioskit.

Tani Lugano kërkon mesfushorin ekspert të kombëtares sonë dhe “Blick” raporton se Kukeli mun të largohet falas nga Zyrihu, duke qenë se nuk bën më pjesë në planet e klubit të sapongjitur në Superligë.

Ndërkaq, sot nën urdhrat e trajnerit të Zyrihut Uli Forte do të jetë edhe Armando Sadiku. Sulmuesi ka mbyllur një gjysmë sezoni të shkëlqyer në Lugano dhe “qershia mbi tortë” ishin golat në Izrael, ndërsa tani pret të mësojë të ardhmen e vet.

Presidenti i Zyrihut, Ançilo Kanepa, konfirmon se Sadiku është në listën e lojtarëve që mund të shiten, por ka një problem: “Sadiku do të lërë Zyrihun, por nevojitet një ofertë konkrete dhe deri tani nuk na ka ardhur asnjë e tillë”.

Në këtë mënyrë, Sadiku mbetet në udhëkryq, sepse ndonëse është përfolur për interesim që nga Seria A italiane e deri në Izrael, çmimi i vendosur nga Zyrihu, prej disa milionë eurosh, tremb të gjithë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *