Tre lojtarë janë kthyer dje për Skënderbeun dhe bëhet fjalë për tre titullarë. Tefik Osmani, Marko Radas dhe Kristi Vangjeli janë bashkuar me skuadrën dhe tashmë trajneri Daja është më i qetë, pasi gradualisht grupi po mbushet. Vangjeli u bashkua më shpejt se dy të tjerët me skuadrën dhe dje ka kryer stërvitje të plotë.
Osmani dje mbërriti në Korçë dhe pasdite, pasi është paraqitur në stërvitje, ka zhvilluar një seancë individuale. Po veç grupit është stërvitur edhe Marko Radas, që duhet thënë se ka pasur nevojë për më shumë terapi, për shkak të lodhjes së madhe. Sot pasdite Osmani dhe Radas do të jenë nën urdhrat e trajnerit Daja për të shtuar numrin e lojtarëve në stërvitje. Vazhdojnë të mungojnë tre futbollistë të tjerë, Orges Shehi dhe Marjo Dajsinani, dy portierët e grumbulluar me kombëtaret kuqezi, si dhe Bajram Jashanica, qendërmbrojtësi i grumbulluar me Kosovën për dy ndeshjet e radhës. Vetëm javën e ardhshme grupi do të jetë 100% i plotë për Dajën. Atëherë do të plotësohet edhe stafi, pasi trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi, është në grumbullim me kuqezinjtë.