Është vendosur përfundimisht se ku do të zhvillohet ndeshja Vllaznia-Korabi, e vlefshme për javën e parë të Kategorisë së Parë në grupin B. Klubi shkodran ka dalë me një njoftim zyrtar dhe lajmëron se ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boricci”.
“Ndeshja Vllaznia- Korabi e vlefshme për javën e parë të kampionatit të kategorisë së parë, do të luhet të shtunën në orën 16.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Klubi Vllaznia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e kësaj ndeshje. Kjo do të jetë ndeshja e parë për kuqeblutë dhe dëshira, njëkohësisht edhe objektivi, është për ta nisur me fitore. Skuadra ka kohë që përgatitet për këtë gjë dhe tashmë mbetet vetëm për ta konkretizuar në fushën e lojës. Kuptohet që presim edhe mbështetjen e sportdashësve tanë, është shumë e rëndësishme në këtë aspekt. Prandaj dhe presim që ata të jenë pranë skuadrës në mënyrë që ta nisim mbarë kampionatin e ri së bashku”.
KRYMI – Ardit Krymi e ka ndarë mendjen dhe do të luajë edhe për të paktën një sezon me Vllazninë. Pavarësisht ofertave të shumta, teksa Skënderbeu dhe Partizani ishin dy ekipet që këmbëngulën më shumë, mesfushori vendosi të qëndrojë. Jo vetëm kaq, por Krymi ka pranuar edhe uljen e pagës së propozuar nga klubi.