Diego Armando Maradona shkaktoi përsëri lajm në Argjentinë. Në një intervistë për “Fox News”, ish-trajneri i Argjentinës lëshoi akuza të forta ndaj Lionel Mesit, duke e cilësuar atë si një futbollist që luante ndryshe për Barcelonën dhe për kombëtaren e tij dhe se ai nuk ka karakterin e një lideri: “Po të isha përsëri në krye të Argjentinës nuk do ta grumbulloja”, tha dy herë kampioni i botës, që në mënyrë paradoksale vetëm para dy javësh i thuri elozhe numrit 10 të Barcelonës.
Janë dashur pak ditë që të vijë përgjigja nga “kampi” i Mesit. Kushëriri i yllit të Barcelonës, Maksi Biankuçi, ka qenë ai, i cili ka reaguar në lidhje me këto akuza të Maradonës.
“Është e trishtueshme të shikosh një njeri që mburret se është një lider, teksa flet kaq keq për një lojtar që është më i miri që kemi dhe do mbetet i tillë dhe për shumë kohë. Këto kritika vijnë në një moment ku ai duhet të na ndihmojë të rindërtojmë kombëtaren”, ndërkohë nëpër rrjetet sociale shumë argjentinas i kanë dalë në krah Mesit, duke e konsideruar Maradonën si një person të varur nga droga, kritikat e të cilit nuk kanë asnjë lloj vlere.