Kritikat për Balotelin, Raiola “ia plas në fytyrë” të gjitha Sakit

Mario Baloteli kthehet në një çështje në Itali pas ndeshjes me Poloninë. Arrigo Saki, ish-trajneri i Milanit, ka kritikuar sulmuesin, teksa është shprehur se futbolli është një sport ekipor, por janë të domosdoshme edhe idetë, që duhet të jenë të qarta.

“Futbolli është sport ekipor dhe idetë vlejnë më shumë se këmbët. Kështu, së pari duhen marrë lojtarë që kanë inteligjencë.  Pastaj shërben altruizmi, pasioni dhe profesionalizmi. Të gjithë kanë makina, por për të lëvizur duhet benzinë. Dhe në futboll benzina është inteligjenca, pasioni dhe profesionalizmi”, ka thënë mes të tjerash Saki në Radio Deejay.

Nuk ka munguar një reagim nga kampi i sulmuesit dhe ai që i përgjigjet Sakit, madje që kalon edhe në kundërsulm, është Mino Raiola. Menaxheri i Balotelit nuk kursehet aspak, madje thekson se ish-trajneri i Milanit jeton me atë që ka bërë në krye të kuqezinjve kohë më parë.

“Inteligjenca nuk shërben vetëm në futboll, por edhe në jetë. Me fjalët e tij qartësisht ka demonstruar se nuk ka as inteligjencë, as klas.  Nuk e kuptoj pse ata dëgjojnë një njeri që jeton vetëm prej emrit që ka vënë sepse ka udhëhequr një skuadër të fortë si Milani, që fitonte vetë.

Saki duhet të falënderojë Berluskonin dhe të mendojë për finalen e humbur me kombëtaren, pasi ajo skuadër duhet të fitonte Botërorin, që e humbi ai. Pas Milanit ai nuk ka fituar askund dhe nuk ka të drejtë të japë leksione.

Për pjesën tjetër, më duket se ajo që ka deklaruar për Marion konfirmon atë që thonë për të prej kohësh. Ka rrjedhur… Dhe ndjej veç mëshire për të”, është shprehur Raiola.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *