Kristjan Shpendi luan për të hyrë në historinë e Çezenës, sulmuesin shqiptar e ndajnë 3 gola nga thyerja e rekordit

Çezena siguroi pjesëmarrjen në Serinë B pas 6 viteve mungesë në këtë ligë. Bardhezinjtë kanë siguruar matematikisht vendin e parë në Grupin B të Serisë C katër javë përpara përfundimit të kampionatit. Megjithëse objektivi i klubit është arritur, Kristjan Shpendi ka ende motivim për të shënuar.

Sulmuesi shqiptar numëron 20 gola deri më tani me fanellën e Çezenës, duke qenë pika kyçe e suksesit për skuadrën italiane. Tashmë 21-vjeçari luan për të hyrë në historinë e klubit. Shpendi ka 4 ndeshje në dispozicion për të thyer rekordin e Dario Hybnerit.

Ky i fundit mban rekordin për numrin më të madh të golave të shënuar në një sezon të vetëm. Hybneri ka shënuar 22 gola në sezonin 1995/96. Tashmë Kristjan Shpendi është shumë pranë thyerjes së këtij rekordi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/