Tekniku shkodran sqaron se në skuadrën e tij do të ketë vetëm lojtarë që kanë qenë në aktivitet rregullisht. Ai zbulon edhe objektivat e merkatos
Kreshnik Krepi drejtoi me sukses Tërbunin në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar, duke e shpëtuar nga rënia në Kategorinë e Dytë, pavarësisht se thuajse askush nuk besonte se diçka e tillë do ndodhte. Kohët e fundit po trumbetohet se Tërbuni do synojë Superioren sezonin e ardhshëm, por shkodranin Krepi e shqetësojnë këto zëra dhe ngre disa pyetje, ndërkohë që tregon edhe planet që ai ka për të ndërtuar ekipin për sezonin e ardhshëm. Por që kjo të arrihet, duhen plotësuar kushtet e tij. Krepi ka sqaruar me anë të llogarisë së tij në “Facebook” gjithçka, duke zbuluar madje edhe objektivat e Tërbunit në merkato.
“Si blihen lojtarët pa Lek?! Si jepen objektiva në ajër?! Duke ndjekur shtypin sportiv dhe merkaton e Tërbunit, ekipit që mbylla sezonin që sapo kaloi, duke arritur objektivin, jam i detyruar të flas, sepse është përmendur dhe emri im si trajner i këtij ekipi. Është e vërtetë që kam kontaktuar me kryetarin e Bashkisë dhe kemi rënë paraprakisht dakord që në fund të muajit të konkretizojmë marrëveshjen dhe objektivat që do kemi bashkë, me gjithë mënyrën se si do funksionojë Tërbuni për sezonin 2017-2018. Kam përgatitur projektin tim dhe nëse nuk plotësohet, atëherë marrëveshja nuk nënshkruhet. Nuk ka shanse Tërbuni me mua trajner të formatohet me futbollistë të cilët nuk gjejnë hapësira në asnjë skuadër të Kategorisë së Parë, aq më shumë me futbollistë të parë nga “Youtube”, të cilët nuk bëjnë diferencë dhe që duan shumë kohë të përshtaten me çdo problematikë dhe të mirë të futbollit në vendit tonë. Po ju jap vetëm disa nga emrat që janë në projektin tim për t’i afruar këtë sezon tek Tërbuni: Ervin Fakja, Jurgen Gjini, Taulant Marku, Erbet Hoti, Elton Basriu, Xhynejt Çutra, Senad Lekaj, Vahedin Pepa dhe Alis Baçi, të cilët bashkë me grupin bazë që mbyllëm sezonin dhe me disa elementë të rinj nga akademitë Partizani dhe Shkëndija, do mundohemi të formojmë një grup solid. Tërbuni i këtij sezoni do mundohet të nënshkruajë kontratat vetëm me lojtarë të cilët janë aktivizuar më shumë në sezonin që sapo u mbyll dhe do marrë një formatim rrënjësor në çdo aspekt, kjo në bazë të buxhetit që do kemi, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e sezonit të kaluar. Në momentin që të seleksionojmë grupin e lojtarëve, atëherë do tregojmë edhe objektivat, në bazë të kontigjentit që do të kemi në dispozicion”, shkruan Krepi, i cili bën të qartë se në skuadër qëndrojnë dhe vijnë vetëm ata të cilët plotësojnë pritshmëritë e stafit teknik.