Skënderbeu e ka nisur mbarë kampionatin, teksa ka marrë dy fitore radhazi. Sulmuesi Besnik Krasniqi i gëzohet nisjes dhe beson se do të bëjnë edhe më mirë në vazhdim. “Fillimi është i rëndësishëm, por mund të them se është po i njëjti Skënderbe, pavarësisht se kemi pasur largime nga ekipi i vjetshëm. Besoj se do të shkojë dhe më mirë se kaq”, ka thënë kavajasi para mediave.
Si sulmues, dëshirën e ka të madhe për të shënuar: “Është e vërtetë që më mungon goli, por gjithmonë futem me ndjenjën se do të arrij shënoj, por gjithmonë varet nga fusha dhe pak nga fati. Gjithmonë futem me mendimin për të bërë më të mirën. Do vijë edhe goli”.
NDESHJA ME LAÇIN – “Është ndryshe nga ndeshja e Superkupës, ishte ndeshja e parë. Tani luajmë në shtëpinë tonë, pavarësisht se pa ndihmën e tifozëve. Besoj se do bëjmë më të mirën. Fitorja vendoset në fushë”.
GARA – “Fillimi është i rëndësishëm, s’duhet t’i trembemi asnjë ekipi, por Skënderbeu është Skënderbeu dhe mbizotëron në Shqipëri mbi të gjitha ekipet. Kundërshtarët kanë skuadra të mirë, por nuk duhet të mbivlerësojmë as të nënvlerësojnë asnjë ekip. Ne jemi Skënderbeu dhe do të bëjmë punën tonë”.
KONKURRENCA – Ndihem komod të kem Bregun dhe Gripshin në krah. Janë dy djem të rinj si unë dhe kanë dëshirë të luajnë. Për aktivizimin vendos trajneri, të gjithë duhet të jenë gati për të luajtur. Jemi të gjithë të barabartë, këtë duhet ta dinë të gjithë. Të gjithë janë të rëndësishëm, pavarësisht nëse është në stol apo është në fushë. Fili? E kam shok dhe kemi luajtur bashkë. Ai është pozicion tjetër. Pavarësisht se ai ka ardhur tani, unë i uroj atij të bëjë më të mirën”.
RIVALËT – “Të gjithë janë anti-Skënderbe, të gjithë duan të na mundin. Nuk mund ta them kush mund të na qëndrojë më afër, është akoma herët dhe do mundohen ta rivalizojnë Skënderbeun”.