Boka Zhuniors po përgatitet për dy superfinalet e Kupës Libertadores kundër River Plejt, “armikut” të urryer. Daniel Angeliçi, presidenti i Bokës ka folur për teknologjinë VAR, duke bërë një krahasim interesant.
Teknologjia është futur dhe në Kupën Libertadores dhe një gjë e tillë ndihmoi ekipin e Riverit të fitonte një penallti në gjysmëfinalen e kthimit kundër brazilianëve të Gremios dhe të kualifikohej në finalen e madhe.
“Që në fillim e kam thënë që teknologjia është një faktor i rëndësishëm, një mjet për arbitrin, i cili mbetet autoriteti superior. Nëse ai bën një gabim në ato pak sekonda që ka për të vendosur, VAR-i mund të korrigjojë gabimin, duke e bërë gjithçka më të drejtë. Kjo është një gjë e re dhe siç kam thënë në Conmebol, VAR-i është si një pilot avioni, i cili ka nevojë për shumë orë fluturim për t’u perfeksionuar”, komenton kreu i klubit të Bokës për teknologjinë në fjalë.