Luftëtari e ka nisur si mos më keq kampionatin. Katër ndeshje, katër humbje. Rrjedhimisht renditen në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit dhe konsiderohen si ekipi më i rrezikuar për të rënë në Kategorinë e Parë.
Gjatë kësaj periudhe është vënë në dyshim e ardhmja e trajnerit Millosh Kostiç, i cili për momentin ka theksuar se ka besimin e klubit. Gjithsesi duhet marrë fitorja e parë. Sipas tij kanë vuajtur në katër javët e para në finalizim dhe në goditjet standarde.
“Tani ka ardhur Dunga, sulmuesi që prisnim. Na duhej një lojtar që ta dërgojë topin në rrjetë dhe kjo na ka munguar gjatë këtyre javëve. Nuk është se nuk kemi luajtur futboll. Sa i takon mbrojtjes, kemi edhe Hoxhën. Kemi pësuar në goditjet standarde deri më tani dhe me gatishmërinë e tij do të jemi më mirë në mbrojtje”, tha mes të tjerash Kostiç për mediat pas ndeshjes me Tiranën.
Slloveni pranoi se ndeshja me Teutën është vendimtare edhe për të ardhmen e tij. “Për mua çdo ndeshje është vendimtare, aq më shumë që kundër Teutës luajmë në shtëpi. Nuk kemi rrugë tjetër veç fitores. Nëse nuk ndodh, atëherë duhet të ulem me drejtuesit dhe të bisedoj se cila është më e mira për klubin”.