Altin Lala jeton në Gjermani, ndërkohë që nuk i shkëputet futbollit. Trajnimi nuk është opsion. E provoi, por nuk e sheh veten në atë fushë. Momentalisht, veç biznesit që drejton, merret edhe me menaxhimin e lojtarëve. Milot Rashica është një nga lojtarët që ai përfaqëson. Së fundmi ai ka qenë në Kosovë.
“Ka lojtarë në Kosovë që ne po i mbikëqyrim, akoma nuk mund të zbuloj emra. Dëshira dhe qëllimi është të nxjerrim sa më shumë lojtarë shqiptarë, që të luajnë në Bundesligë. Shpeshherë ndjek në SuperSport ndeshjet e kampionatit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Marrim informacione për lojtarët që kanë talentin, vullnetin dhe dëshirën për t’u afirmuar. Impenjimi kryesor imi është me menaxhimin e lojtarëve të talentuar nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga Gjermania”, u shpreh mes të tjerash Lala në intervistën e dhënë për Supersport Kosova.
Më pas ai flet edhe për Rashicën, i cili po shkëlqen në Bundesligë: “Miloti është duke bërë jashtëzakonisht mirë sidomos nga janari. Është në rrugën e duhur dhe për mendimin tim në një përqindje të madhe do të bëhet edhe më i mirë. Ai po kënaq tifozët e Verderit, por edhe shqiptarët që jetojnë në Gjermani, Kosovë apo Shqipëri, ku janë krenarë për të”.
“Transferimi i Rashicës? Futbolli është bërë shumë i shpejtë, Miloti ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha në Europë. Ai duhet të përmirësohet në disa aspekte për të arritur nivelin më të lartë. A mund të ketë lëvizje? Nuk mund ta them 100%, futbolli është i paparashikueshëm, por edhe në Bremen ai ndihet shumë mirë dhe do të ishte mirë që të luante edhe një sezon. Klubet shohin shumë potencial te Miloti dhe shpresojmë që një ditë të arrijë majat”, shtoi Lala.
Në vazhdim ai flet edhe për përfaqësuesen e Kosovës dhe ndryshimin me Shqipërinë: “Për kaq pak vite, që nga njohja në UEFA dhe FIFA, Kosova është rritur shumë. Ka elementë shumë të mirë, por natyrisht nuk duhet të presim gjera të mëdha sot për nesër. Deri tani kanë bërë shumë shumë mirë dhe mua më bëhet qejfi që për një kohë të shkurtër ka patur këtë përparim”.
“Shqipëria dhe Kosova janë aty-aty në nivel, por Kosova ka shumë talente edhe është në zhvillim e sipër. Te Shqipëria lojtarët janë në moshë disi më të madhe, kanë më shumë eksperiencë, por Kosova ka shumë talente dhe premisa që të bëjë dhe më mirë në të ardhmen. Kjo është, le të themi, diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës, megjithëse unë do të doja që të kishim vetëm një kombëtare”, përfundoi ish-lojtari i kombëtares.