Armand Duka këtë herë ka folur hapur dhe ka një mesazh të qartë për qeverinë: sporti dhe futbolli në veçanti kanë nevojë për mbështetje. Duhen paketa fiskale dhe infrastrukturë, që janë premtuar në të shkuarën. Gjithsesi politika dihet që këtë ka pikën më të fortë, premtimet.
Kreu i FSHF-së sjell edhe shembuj, madje nuk shkon shumë larg: Kosova. Vëllezërit tanë përtej Drinit kanë një buxhet shumë më të madh se ne, ndërkohë që për shembullin hungarez t’u flasësh pushtetarëve tanë është e vështirë. Duka e ka lëshuar gjysmë fjale, gjithsesi.
Stadiumet nuk janë ato që e rrisin futbollin, duhen fusha ku të luajnë fëmijët dhe të zbulohen talentet e radhës. Por duhen edhe ligje që t’i mbështesin ata që investojnë në sport. Deri më tani ka pasur vetëm fjalë.
FUSHAT – “Qeveria të marrë një vendim dhe të thotë do të financojmë 200 fusha futbolli në Shqipëri. Kush i dëgjon mund t’i duken shumë, por janë pak. Tirana, ku vërtetë luajnë futboll të gjithë fëmijët, ka nevojë për 100 fusha futbolli. Është e vështirë për hapësirat, por duhet t’i gjejmë dhe ato. Buxheti, qoftë i Bashkisë së Tiranës, qoftë dhe i qeverisë, nuk është se varfërohet për kaq pak para për një sport që shqiptarët e dashurojnë shumë”, thotë Duka në intervistën e tij për “ABC Neës”
PREMTIMI I VITIT 2013 – “Kur Rama do vinte në qeveri u mendua, madje mbaj mend që Fidel Ylli bëri fushatë me këtë, që do kishte Ministri Sporti. Ajo do mendonte për sportin dhe realisht kur ka një ministri, kur ka një administratë, që bashkon dhe mbledh grupet e interesit dhe prodhon vërtetë strategji dhe politika të paketave fiskale që ndihmojnë sportin, gjërat nëse nuk realizohen 100% do realizohen 50%”.
PROBLEMET LIGJORE – “Tek ne ka një ligj që është qesharak. Më duket se është i ’94-s. Kanë lindur herë pas here iniciativa, që shuhen shpejt. Iniciativa kemi marrë dhe ne. E kemi propozuar një herë një paketë fiskale, që shkuam ta mbronim dhe në komision parlamentar. Çuditërisht disa njerëz të sportit brenda komisionit i dolën kundra dhe u shua dhe ajo”.
SHEMBULLI NGA KOSOVA DHE HUNGARIA -“Politika kosovare e mbështet sportin më shumë se politika shqiptare, madje në mënyrë strategjike dhe jo në mënyrë spontane. Buxhetet që ka Kosova, qoftë dhe buxhetet për financimin e sporteve, janë 10 ose 20 herë më të mëdha se Shqipëria. Ajo paketë fiskale, që për mua nuk është e plotë, që ka, duhet të jetë dhe më e mirë e Kosovës”.
“Hungaria i detyron kompanitë, shoqëritë e biznesit, të shkojnë të bien dakord me një nga federatat e 4 sporteve prioritare dhe të investojnë nga fitimet e tyre. Kjo pjesë zbritet nga Tatimet. Në tre-katër vitet e fundit janë shifra marramendëse të investuara. Janë ndërtuar fusha futbolli pa fund dhe do ketë ndryshime”.
NDRYSHIMET NË VITE – “Nëse do shohim kolonën e të ardhurave dhe shpenzimeve të 10 viteve më parë me sot, ndryshimi është më shumë se 200% nga sponsorizimet që kanë vetë klubet, që nuk kanë ekzistuar dikur. Ka të ardhura nga e drejta televizive. Ka të ardhura nga shitjet e lojtarëve dhe vetëm të ardhurat e klubeve nga UEFA janë mesatarisht 8-9 milionë euro. 10 vite më parë e gjithë Shqipëria në total kishte të ardhura 700-800 mijë euro”.
KËSHILLA DHE PARALAJMËRIMI – “Duhet të bëjmë aq futboll sa kemi të ardhurat. Sa prodhojmë në atë lloj niveli gare, aq duhet të jemi. Ekipet e kategorisë Superiore në Shqipëri, me një menaxhim të mirë, mund të jenë me një bilanc pozitiv. Disa prej tyre janë”.
“Deri më sot ne nuk është se kemi marrë ndonjë masë për të përjashtuar nga aktivitete apo për të zbritur nga një kategori më poshtë. Duhet të jemi akoma më strikt dhe duhet t’i ndihmojmë që të jenë me bilanc pozitiv dhe në të njëjtën kohë mos t’i lejojmë për të vazhduar me bilanc negativ”.
TRAJNERËT E KOMBËTAREVE TË MOSHAVE – “Përzgjedhja sot nuk bëhet nga një individ, bëhet nga i gjithë stafi teknik i Federatës së Futbollit. Sot e them me bindje, në edicionin që jemi, që nuk ka shans që të përzgjidhet një njeri që nuk e meriton. Të gjitha të tjerat, që fëmija im është si Maradona por nuk e thirrin, janë legjenda urbane. Është i gjithë stafi, të gjithë trajnerët, drejtori teknik bashkë me ta, të cilët shkojnë në fushë, japin vlerësimet individuale të pavarur nga njëri-tjetri, pa ia ditur emrin lojtarit, vetëm me numra”.
Normale! Mos harrojme nje detaj shume dmth, qe ky vend e ka emrin Albanistan!