Në Korçë i janë rikthyer stërvitjes dhe ka pasur risi. Veç Almir Ajzerajt, i cili ka nënshkruar për katër vite, nën urdhrat e Orges Shehit është vënë edhe vlonjati Dejvi Bregu. “Pas vetëm një ditë pushim, ekipi i është rikthyer përgatitjeve në Korçë nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi dhe stafit teknik. Grupi ka zbritur herët në mëngjes në fushën me bar natyral ku zhvilloi një seancë të karakterit aerobik dhe force. Me ekipin sot veç Almir Ajzeraj u bashkua dhe Dejvi Bregu, i cili përfundoi huazimin tek Luftëtari dhe ka nisur përfundimisht aventurën bardhkuqe. Bregu do të dalë para mediave në orën 17:30 për të parën herë me fanellën bardhekuqe”, shkruhet në njoftimin e korçarëve.
Ndërkohë është konfirmuar lajmi i “Sport Ekspres” për Marko Radas, i cili do të jetë i huazuar te skuadra e Laçit për ndeshjet e kupave të Europës kundër Moldes. “Marko Radas ka qenë mungesa e vetme, kjo pasi mbrojtësi Kroat është huazuar te KF Laçi për ndeshjet e Europa League. Përgatitjet do të vijojnë pasdite”, njofton Skënderbeu.
Drejtuesit po punojnë tani që të bëjnë edhe dy afrime të tjera, një sulmues dhe një mesfushor. Trajneri Orges Shehi po punon me skuadrën i qetë dhe të gjithë në Korçë janë të qetë para nisjes së sezonit të ri.