Redi Jupi është një ndër analistët sportivë më të mirë në Shqipëri dhe shpeshherë, fjalët e tij marrin vëmendje kryesore në media. Sot, ish-futbollisti i njohur ka folur për “RTSH Sport”, ku foli për kombëtaren e Shqipërisë dhe shanset që kemi për të marrë rezultate pozitive kundër Turqisë dhe Andorras.
GRUMBULLIMET – “Në fakt, kjo strategjia për të synuar shqiptarët e Maqedonisë ka qenë dhe më përpara, duke parë që dhe Kosova u bë përfaqësuese. Është kritikuar shumë kjo gjë, pasi po mendohet se po i merren lojtarët një kombëtareje tjetër. Unë mendoj se lojtarët më të mirë shqiptarë, të luajnë për ekipin kombëtar, pavarësisht se çfarë kombësie kanë. Ne jemi vend i vogël dhe çdo lojtar na përforcon shumë. Mjafton një ose dy lojtarë cilësorë dhe në harkun e një edicioni, të sjellin shumë. Nëse ka lojtarë në Maqedoni ose në Greqi, që janë lojtarët më të mirë të mundshëm, kjo është diçka tjetër”.
SHQIPTARËT E GREQISË – “Nuk e mendoj se duhët të kenë një presion, pavarësisht se janë në Greqi. Durmishaj, Mihaj apo dikush tjetër, janë shqiptarë më puro se shqiptarët që janë këtu brenda, prandaj nuk ka asnjë problem nëse vijnë këtu. Nuk duhet të ndjejnë presion. Ata janë rritur në Greqi dhe kombëtarja e tyre i cilëson të tyre dhe nuk kanë faj, por ata duhet të dinë kë të zgjedhin. Janë lojtarë që duan Shqipërinë dhe do t’i bëjnë punë Shqipërisë. Kanë vështirësitë e tyre”.
PANUÇI – “Nuk ka qenë i qartë me strategjitë dhe politikat e tij. Kjo sjell paqartësi te lojtarët që vijnë. Duhet të vijnë lojtarë të rinj, por jam kundër testimeve te kombëtarja A. Janë moshat për atë punë. Stafi duhet të jetë i qartë në idetë që ka, e jo të thërrasë 20 lojtarë një herë e të mos i thërrasë më. Në këtë kuadër, Panuçi nuk ka qenë i qartë. Fillimisht, edhe De Biazi pati disa lëkundje, jo vetëm ai, po i gjithë stafi. Ne i kishim lojtarët në rrethin e De Biazit dhe nuk kishte pse të rinovohej totalisht skuadra. Gjithsesi, DE Biazi ishte shumë më i suksesshëm se Panuçi”.
DËMTIMET DHE RIKTHIMET – “Momenti i Shqipërisë është më i mirë se ai i para tri muajve. Disa lojtarë janë rikuperuar nga dëmtimet dhe disa të tjerë kanë filluar të luajnë rregullisht dhe të shënojnë. Momenti është më pozitiv se para tri muajsh. Në këtë aspekt, Panuçi është i favorizuar. Unë kam dyshime vetëm te stafi: Sa i qartë do të jetë stafi për ndeshjet? Kjo është dilema e vetme e imja”,- përfundoi Jupi.