Situatë absurde te Kukësi, ku portieri Enea Koliçi është në një moment të vështirë, sepse nuk po e kupton as vetë cfarë po ndodh në lidhje me raportin e tij me Kukësin.
Një ndër yjet e sezonit të shkuar dhe një nga ata që shkëlqeu më së shumti në Champions League, Koliçi ka kohë që studion me qetësi ofertat, duke qenë i bindur se kontrata e tij përfundon pas kupave të Europës. Megjithatë, ditën e djeshme Koliçi ka mësuar se nuk lëviz dot nga Kukësi, pasi klubi e ka nën kontratë!
Në FSHF është depozituar kontrata e tij e re, me firmën e tij, por që Koliçi është i prerë: “Nuk kam hedhur asnjë firmë, me asnjë ekip, as me Kukësin! Nuk e kuptoj çfarë po ndodh, është situatë absurde. Duhet të studioj me avokatin tim kontratën dhe të sqarojmë shumë gjëra”.
Duke folur për “Sport Ekspres”, Koliçi shpjegon: “Unë kam kohë që kam bërë kërkesa, disa muaj më parë, sipas rregullores së Kukësit, për të mos rinovuar automatikisht, ndaj nuk e kuptoj si qenka rinovuar vetë kontrata, sepse unë nuk kam firmosur asgjë. Nuk kam biseduar me Kukësin për rinovimin dhe realisht jam futbollist i lirë, në pritje që të marr dokumentacionin që më takon he pastaj të zgjedh me qetësi për të ardhmen. Jam i hapur për oferta, duke nisur nga Kukësi, por askush nuk më bind dot që unë jam nën kontratë me Kukësin”.