Koha e përshëndetjes me titullin! Vllaznia ikën pa pengje nga “aktorët e tjerë”, shifrat tregojnë hapin e shkodranëve

Vllaznia është larguar nga gara për titull pas humbjes së marrë në shifrat 3-1 kundër Kukësit. Kjo disfatë ishte më e hidhura e sezonit për Shkodrën që ka frymuar me dëshirën për t’u shpallur kampion në këtë sezon, por tashmë është vetëm iluzion.

Kur mbeteshin javët finale në rrugën e fundit drejt prerjes së shiritit, e gjithë vëmendja ishte fokusuar te arbitrimi. Si në shumë ekipe të tjera, edhe te Vllaznia nëpërmjet Djarmatit kërkohej nga gjyqtarët që të mos ndikonin në garë. E në një farë mënyre te shkodranët largohen pa pengje nga ky aspekt.

8 pikë të marra në këto 7 javë finale janë tmerrësisht shumë pak për një skuadër që kërkonte të vendoste duart në titullin kampion. Shumë më mirë ka bërë edhe Skënderbeu i Migen Memellit që kërkon mbijetesën pasi ka grumbulluar 13 pikë në 7 javët e fundit.

Kaq për të kuptuar se përshëndetja e fundit nuk ka ardhur e ndikuar nga ekipi i gjyqtarëve. Gjithashtu edhe nëse motivimi i kundërshtarëve ngriti pikëpyetje si në rastin e Kastriotit, që shfaqej ndryshe me një konkurrent për titullin dhe ndryshe me tjetrin, me Kukësin ishte një tjetër histori.

Pavarësisht se preferenca e thënë hapur nga Safet Gjici se dëshironte Partizanin si kampion të Shqipërisë ngriti diskutime, kjo fitore e ardhur në ditën e sotme ishte për verilindorët që të hiqnin makthin e “Play-Out”. Ky triumf kërkohej më shumë se kurrë në këtë moment për skuadrën e Josës që po ngarkohej nga mendimi se mund të prekej fundi. Fundja, edhe nëse do të kishte alenaca të tilla, ekipi kampion duhet të tregojë se është mbi gjithë të tjerët.

E për t’u ndalur sërish te Vllaznia, në një vështrim më të madh shohim se shkodranët kanë marrë 19 pikë në 17 ndeshjet e fundit. Ky tregues është qartësisht dëshmia se në fazat e fundit të kampionatit, ekipi i Brdaric ishte tërësisht normal dhe i ndryshuar nga super skuadra që pamë në nisje të sezonit. Pra e thënë më thjeshtë, deri këtu mund të shkohej… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *