Futbolli i të hënave është kthyer në një “makth” për tifozët gjermanë. Protesta të vazhdueshme janë bërë gjatë muajve të fundit për këtë, ndërsa në javën e 13-të të Bundesligës do të zhvillohet një bojkot i ndeshjeve nga dhjetëra tifo-grupe të Bundesligës gjermane.
Mesa duket këto forma protestash ka qenë të suksesshme, pasi sipas “DPA”, federata gjermane ka rënë dakord që në marrëveshjen e ardhshme të së drejtës televizive të ndalojë zhvillimin e ndeshjeve gjatë ditës së hënë, duke i spostuar ato gjatë ditës së diel.
Por, për këtë ndryshim tifozëve i duhet të tregohen të durueshëm pasi marrëveshja aktuale mbaron në fund të sezonit 2020/2021. Nga marrëveshja e firmosur dy vite më parë, klubet e Bundesligës përfitojnë 4.6 miliardë euro të ardhura të shpërndara ndërmjet tyre gjatë kohëzgjatjes 4-vjeçare të kontratës.