Klop: “Nuk i largova unë dy lojtarë. Blerje në janar, ndoshta jo”

Trajneri i Liverpulit Jyrgen Klop ka zbuluar se Nathaniel Klajn e kërkoi vetëm largimin nga The Reds, duke u huazuar kështu te Bornemuthi.

Bornemuthi e zyrtarizoi huazimin e mbrojtësit të djathtë të premten dhe Klajn debutoi sot në Kupën FA, kundër Brajtonit, ndërsa te Liverpuli mbetet vetëm Aleksandër-Arnold si mbrojtës i djathtë, por Klop është i bindur se ka alternativa tek të rinjtë.

“Klajn më pyeti nëse ishte i lirë të largohej. U mendova dhe pastaj i thashë ‘Po, mundesh, sepse kemi opsione të tjera dhe të rinj që po rriten”, tha Klop para sfidës së Kupës FA kundër Ulvs, në program të hënën.

“Mund ta mbash një lojtar, por nuk është e lehtë ta mbash me sasinë e duhur të vetëbesimit. Kur erdha unë, Klajn luante thuajse çdo ndeshje, ishte i rëndësishëm dhe në formë, por më pas u dëmtua në shpinë dhe iu desh pak kohë sa të merrte veten. Aty ndodhi ndryshimi, Gomez ishte në formë fizike dhe Trent doli në pah”.

Liverpuli shiti edhe sulmuesin Dominik Solanke për 19 milionë sterlina plus bonuse te Bornemuthi, por Klop nuk ka nevojë për blerje: “Ndoshta jo, nuk do të blejmë në janar. Solanke duhej të largohej, ka nevojë që të luajë rregullisht, edhe pse është stërvitur shumë mirë. Ne duam të blejmë lojtarë të rinj dhe duam t’i mbajmë të rinjtë tanë, por nuk duam t’ua bllokojmë rritjen, nëse shohim që diçka mund të jetë për të mirën e tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *