Kjo javë “holloi” merkaton e së Parës! Nuk ka treg, apo financa?

Gjatë kësaj jave, në skuadrat e Kategorisë së Parë më shumë është folur për përgatitje dhe ndeshje miqësore, dhe më pak, ose aspak, për lëvizje në merkato. Referuar deklarimeve zyrtare deri ditën e dielë datë 13 janar 2019, te skuadrat e kësaj kategorie më shumë është folur për largime, ndërkohë që vetëm Besa ka zyrtarizuar Elvis Çaçon, ish-kapitenin e Tomorit të Beratit. Të gjithë emrat e tjerë që janë deklaruar si afrime te skuadrat, i përkasin javës së kaluar, e cila shënoi edhe pikun e lëvizjeve në këtë kategori.

SportEkspres.com mendon se një ndalesë e tillë ka disa elementë brenda saj, tek të cilët mundet edhe të gjenden arsyet. Dhe së pari, tregu është i varfër për elementë që hyjnë në nivelin e kësaj kategorie, e duke qenë se skuadrat kanë synime që të shkojnë më shumë se sa renditja e javës së 14-të, nuk preferohen futbollistë që s’bëjnë diferencën. Sepse në këtë periudhë elementët cilësorë është vështirë që të kapen, ndërkohë që qarrkullojnë ata futbollistë të cilët kanë dalë jashtë planeve në skuadra.

Dhe arsyeja tjetër, e cila është edhe më kryesorja, janë financat. Një këndvështrim i shpejtë i emrave dhe i numrit të lëvizjeve tregon qartë se afrimet që kanë bërë skuadrat aktualisht, nuk janë “bum”-e apo “big”-ë  që me performancën e tyre, të paktën në 14 javët e luajtura, të kenë qenë protagonistë në skuadrat ku kanë luajtur. Bashkitë dhe Presidentët e skuadrave në fillim të sezonit deklarohen të pasura e dorëlëshuara, ndërsa pas vitit të ri harrojnë premtimet. Kështu, ose nuk janë profesionalisht të aftë të bëjnë përzgjedhjen në merkato, ose mbeten peng i premtimeve dhe “harrojnë” financat e munguara.

Nëse në këtë tregues flasim për Besën e Bylisin, dy skuadrat kryesuese në Grupin B, dhe për Vllazninë kryesuese në Grupin A së bashku me Vorën e vendit të fundit, kështu nuk ka ndodhur me Besëlidhjen, me Shënkollin dhe Ilirinë, apo edhe me Lushnjën, Orikun dhe Elbasanin. Ndonëse skuadra lushnjare bëri të veçantën me zhvillimin e minifazës përgatitore në Malin e Zi, këtë nuk e ka bërë në merkato, ndërsa Elbasani në veçanti po e vuan shumë këtë tregues.

Gjithsesi, në gjysmën e dytë të këtij sezoni lufta sportive pritet të jetë edhe më e ashpër, edhe për faktin se në fazën e tretë pikët e skuadrave përgjysmohen. Dhe nëse drejt kësaj faze skuadrat do të ishin më të konsoliduara në përbërje, kjo luftë sportive do të ishte më e bukur, dhe nuk do të kishim skuadra që “zhgaraviten” majtas e djathtas për të mbijetuar në këtë kategori, pse jo edhe për të qenë koka e grupit.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *