Uilfred Zaha është një ndër lojtarët më të spikatur në Premier Ligë, i cili prej vitesh luan për Kristal Palas. Dikur shihej si një nga talentet më të mëdhenj të Anglisë, teksa në vitin 2013 u ble nga Junajtid për 15 milionë euro, por forma e tij erdhi në rënie dhe më pas, kombëtarja që zgjodhi ishte Bregu i Fildishtë.
Gjithsesi, te Kristal Palas, Zaha ka kohë që e ka gjetur formën dhe është një ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit të tij. Gjithashtu, është një ndër lojtarët më të kërkuar dhe me merkaton e janarit në prag, ekipet pritet të nisin “luftën” për të marrë shërbimet e tij.
Oferta më e fundit që bëhet e ditur vjen nga Kina dhe është një propozim “faraonik”. Aktualisht, 26-vjeçari përfiton 130 mijë sterlina në javë me Kristal Palas, ndërkohë ekipi i Dailan Jifang, i ofron afrikanit plot 390 mijë sterlina, thënë ndryshe, tre-fishin e asaj që përfiton në Angli.
Me ekipin e Superligës kineze, kujtojmë aktivizohen dhe Ferreira Karasko e Nikolas Gaitan. Pritet me interes reagimi që do të ketë Zaha, pasi një ofertë e tillë, zor se të vjen dy herë në jetë. Kontrata është 4-vjeçare dhe totali është 44 milionë sterlina brenda katër viteve. Një mal me para…