Marçelo Lipi do të largohet nga drejtimi i Kinës në fundin e janarit, që përkon dhe me fundin e Kupës së Azisë. Një gjë e tillë u konfirmua kohë më parë nga trajneri italian dhe drejtuesit e Federatës Kineze kanë nisur punën për të gjetur pasardhësin e tij.
Siç citon “SPORT.es”, Horge Sampaoli është kandidatura kryesore për të marrë drejtimin e kombëtares aziatike. Ish-trajneri i Argjentinës vjen nga një eksperiencë për t’u harruar në Botërorin e Rusisë. Kritika të shumta, lojë e dobët dhe dështim total.
58-vjeçari është gati për të nisur një eksperiencë të re dhe oferta e Kinës e tundon. Lipi merr një rrogë prej 17 milionë eurosh në vit dhe kinezët janë gati t’i ofrojnë të njëjtën pagë Sampaolit. Objektivi është marrja pjesë në Botërorin e vitit 2022, që zhvillohet në Katar.