Merih Demirel është një nga blerjet e Juventusit për sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi turk erdhi nga Sasuolo. 21-vjeçari, i cili numëron 6 ndeshje me kombëtaren e tij, pëlqehet nga Milani dhe mund të huazohet tek ekipi i Xhampaolos, duke parë rivalitetin e madh që ekziston në mbrojtjen e bardhezinjve.
Një episod i pakëndshëm i ka ndodhur qendërmbrojtësit. Juventusi u nis në turneun aziatik. Në Singapor do të zhvillohet miqësorja me Totenhemin, ndërsa Demirel nuk mundi të pajisej me vizë nga… Kina!
Shkaku është tensioni i vendit të madh me Turqinë, me këta të fundit që akuzojnë Pekinin për shtypjen e pakicës turko-myslimane të ujgurëve. Politika ndërkombëtare triumfon mbi futbollin dhe Demirel pret rikthimin e Juves në Itali ose transferimin te Milani.