Kilometrat për të birin dhe lidhja e hershme me Laçin, rrëfehet babai i Uzunit

Myrto Uzuni ndodhet në Kroaci. Të premten luajti ndeshjen e fundit me Laçin dhe e mbylli aventurën e tij me gol, madje një nga ato që beratasi do e mbajë mend. Edhe pse ishte arritur marrëveshja me Lokomotivën e Zagrebit, Uzuni nuk u nis menjëherë drejt Kroacisë.

Babai i tij, Artani, donte të ishte me të në këtë lëvizje të madhe. Nga Greqia mori rrugën për atdhe dhe më pas së bashku me Myrton drejt Zagrebit. Për “SportEkspres.com”, ai nuk e fsheh se kishte pak frikë se tratativat e nisura prej një muaji nuk do të mbylleshin me sukses.

“Sigurisht një rruge e gjatë dhe e lodhshme, por këtë herë ndjesia ishte tjetër. U nisa drejt Greqisë për të qëndruar pranë vajzes time, por vëmendjen e kam patur edhe tek ajo që ndodhte me Myrton. Ditët e merkatos po kalonin dhe kjo më trembte se transferimi i tij nuk do ndodhte. Por u bë e gjitha në fund dhe tashmë do të shoqëroj djalin drejt firmës më të rëndësishme në karrierë”, shprehet fillimisht babai i Uzunit.

Myrto dhe Artan Uzuni gjatë udhëtimit për në Zagreb

Gjatë sezonit të shkuar golat e Uzunit ishin disa, ndërkohë që festoheshin edhe në Berat. Fansat i ka të shumtë në të dy qytetet, por Artani kishte “ndërtuar edhe një mini-stadium” në lagjen Uznovë.

“E di që Myrto ka krijuar shumë ndjekës në Laç, ndërsa këtu në lagjen e vet është edhe më i ndjekur dhe i dashur nga të gjithë.  Çdo javë, sa here luante Laçi, lokali im ishte një ministadium ku të gjithë bënin tifo për Laçin dhe për Myrton. Çdo gol bënte të oshetinte gjithë lagja. Tani do na mungojë pak kjo, pasi për të ndjekur Lokomotivën do të jetë e vështirë çdo javë”,  tregon Artani.

Babai i Myrtos ka qenë ai që ka këmbëngulur më së shumti që djali i tij të bashkohej me Laçin. Presidenti Pashk Laska herën e dytë nuk ngurroi dhe pagoi për kartonin e Uzunit. Por qyteti i pozicionuar rreth 45 kilometra larg kryeqytetit kujtohet me nostalgji edhe nga Artani. Jo pa arsye.

“Është diçka e bukur se si rinia ime gjeti këtë lidhje me djalin tim. Unë në Laç kam kryer shërbimin ushtarak, ndërsa Myrto hodhi hapin e madh të karrierës. Të dy kemi bërë miq të mirë dhe i jemi mirënjohës atij qyteti. Më vjen mirë që Myrto e mbylli me gol, duke i dhënë skuadrës një pikë në Korçë përballë skuadrës dominuese të futbollit shqiptar, Skënderbeut”, përfundon babai i Myrtos, Artan Uzuni.

ELTON ÇELA 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *