Federiko Kieza është vetëm 20 vjeç dhe një nga xhevahiret e ekipit të Fiorentinës. Anësori ofensiv është gati për të nisur sezonin e tretë me bluzën vjollcë, edhe pse në drejtim të tij kanë ardhur shumë oferta.
Klubi nuk e diskuton largimin e tij dhe ka refuzuar një ofertë prej 70 milionë eurosh. Djaloshi është me këmbë në tokë dhe nuk i bën përshtypje kjo gjë. Ndihet i vlerësuar, por ai dëshiron të punojë dhe të rritet si lojtar.
“Flasin sikur jam një lojtar i madh, por duhet të tregohen të kujdesshëm me fjalët që thonë. Jam i kënaqur më çka kam bërë deri tani, por e di që mund të përmirësohem akoma. Fiorentina ka refuzuar 70 milionë euro për mua? Kam kaluar një verë të qetë. Aspak ankth në lidhje me merkaton, sepse kisha një marrëveshje me klubin dhe e kisha vendosur që të qëndroja në Firence. Kjo ka qenë zgjedhja më e mirë për mua. Fakti që vlej kaq shumë nuk ma trazon gjumin që bëj dhe nuk ndikon në jetën time. Çmimet e merkatos në vitet e fundit kanë kapur qiellin, por unë nuk përpiqem të mendoj për këtë gjë.”
Fiorentina ka krijuar një treshe interesante në sulm me Kiezën, Simeonen dhe Pjacën, duke bërë tifozët të ëndërrojnë. Diçka e tillë e intrigon 20-vjeçarin, i cili lëshon komente pozitive për kroatin Pjaca.
“Kjo treshe na intrigon edhe neve dhe po punojmë shumë. Pjaca ka pak që ka ardhur. Ai është një anësor sulmi klasik, i cili driblon dhe kërkon portën. Jam i lumtur që është bashkuar me ne”, përfundon Federiko Kieza për “Corriere dello Sport”.