Juventusi do të presë nesër Empolin në shtëpi, në një ndeshje pa shumë histori. Bardhezinjtë duan fitoren për të mbyllur sa më shpejt të jetë e mundur llogaritë në kampionat.
Objektivi i madh është fitimi i Championsit dhe djemtë e Alegrit duan të vijnë pa impenjime të tjera në fazën më të rëndësishme të sezonit. Xhorxho Kielini i është rikthyer edhe njëherë emocioneve të provuar kundër Atletikos së Madridit.
Në një prononcim për “JTv”, kapiteni i Juventusit kërkon të sigurojë titullin kampion dhe nuk mendon për Ajaksin për momentin. Diferenca me Napolin ndjekës është 15 pikë, ndërsa përballjet me “Harkëtarët” holandezë do të zhvillohen me datë 10 prill (në Amsterdam) dhe pas gjashtë ditësh luhet ndeshja e kthimit në Torino.
“Për 2-3 javë do të ndeshemi me Ajaksin, por të përqendrohemi te kampionati dhe t’i mbyllim llogaritë aty sa më shpejt. Shtysa e publikut kundër Atletikos ishte e jashtëzakonshme, u krijua një atmosferë magjike. Duam të vazhdojmë të përjetojmë mbrëmje si ajo kundër spanjollëve. Jemi të karikuar në maksimum dhe duam të bëjmë diçka speciale këtë sezon. Rekordi im? 500 ndeshje janë shumë. Kam shijuar shumë fitore dhe disa dhimbje. Emocionet do të mbeten gjithmonë brenda meje, le të shpresojmë që ato më të bukurat nuk kanë ardhur ende”, përfundon kapiteni i Juventusit.