Xhorxho Kielini mbetet një nga pikat më të forta të repartit difensiv të Italisë, pavarësisht 34-viteve që mban mbi supe. Mbrojtësi i Juventusit ka folur për “La Stampa”, ku analizon situatën e kombëtares dhe rrugën e duhur për t’u rikthyer Italia e fortë, që i frikëson të gjithë. Kielini zbulon dhe lojtarin, i cili po organizon lojën e skuadrës dhe ai është Zhorzhinjo i Çelsit.
“Italia nuk është akoma gati, sepse kjo është një pasojë logjike e ndryshimeve që po ndodhin dhe e kundërta do të ishte e habitshme. Gjëja që duhet të evitojmë në këto momente është që të bëjmë gjykime mbi skuadrën. Njihemi pak me njëri-tjetrin dhe trajneri po na kërkon kurajën e duhur, edhe pse mund të rrezikojmë diçka.
Nevojitet qetësi dhe është e rëndësishme të mos biem në panik. Jemi në rrugën e duhur, por është e vërtetë që kemi nevojë për një sukses të rëndësishëm. Mbi të gjitha për lojtarët e rinj dhe unë kam shumë besim tek ekipi.
Zhorzhinjo? Ai është thelbësor për ne. Loja jonë është në duart e tij, kundër Polonisë filloi të rriste ritmin dhe u pa një tjetër Itali”, përfundon futbollisti i Juventusit.