Çështja Kaldara-Bonuçi është kthyer në “kryefjalën” e ditëve te fundit në Itali dhe jo vetëm. Rreth transferimit të mundshëm në Torino të Leonardo Bonuçit, ka folur dhe kapiteni i Juventusit, Xhorxho Kielini.
Mbrojtësi italian për “Espn” nga Amerika, ku ndodhet së bashku me ekipin për të zhvilluar fazën përgatitore, është shprehur: “Leonardo është miku im. Kam kaluar pushimet e mia me të dhe familjen. Ne i dimë cilësitë e tij, por nuk e di nëse do të rikthehet në Torino. Nuk është e lehtë dhe dua të respektoj shokët e mi. Unë nuk jam presidenti apo drejtori i klubit për të folur me siguri rreth kësaj çështjeje. Do të shohim në ditët në vijim se çfarë do të ndodh.”
Gjithashtu, Kielini ka folur edhe për afrimin më të bujshëm të Juventusit. “Herën e parë që dëgjova për Ronaldon u thashë miqve të mi: ‘Jo, nuk mund të ndodhë’. Të nesërmen, mendova se ishte e mundur. Trajneri dhe drejtori e bën realitet. Juventusi po rritet vit pas viti dhe ka nevojë për një kampion si Kristiano. Jemi të gjithë të gëzuar e mezi presim të punojmë me të. Shpresojmë se ai do të na ndihmojë të arrijmë qëllimin tonë”,- ka përfunduar mbrojtësi bardhezi.