Kielini: CR7 më ka bërë të vuaj, po e “kopjoj” për dy gjëra

Pas largimit të Xhixhi Bufon drejt PSG, shiritin e kapitenit tek ekipi i Juventusit e mori Xhorxhio Kielini. 34-vjeçari është lideri i mbrojtjes bardhezi dhe një nga pikat më të forta të ekipit të Alegrit. Kapiteni ka folur për “BBC”, duke u ndalur te Kristiano Ronaldo.

Kielini thur elozhe për portugezin, të cilin e konsideron më të mirin në botë. Si kundërshtar me të ka vuajtur shumë, ndërsa tashmë është i lumtur që e ka shok skuadre. Ai tregon se në fillim nuk e besoi kalimin e tij te Juventusi, ndërsa mbeti i befasuar kur presidenti i dha lajmin e bukur. Mbrojtësi tregohet modest dhe pranon se po mëson shumë nga Kristiano, ndërsa e mbyll me objektivat e klubit torinez.

CR7 – “Ronaldo ka shënuar disa herë kundër nesh si kundërshtar, madje shumë herë. Shpeshherë ka thyer ëndrrat e mia, si në Kardif, Madrid dhe Torino. Championsi ishte një ëndërr më parë, ndërsa tashmë është objektiv. Jemi mes 4-5 skuadrave, që mund ta fitojnë këtë kompeticion. Kristiano është futbollisti më i mirë në botë dhe shpresoj të bëjë diferencën me personalitetin e tij. Isha kurioz ta shihja nga afër në fushë, por dhe jashtë saj. Përpiqem të mësoj nga ai, nga punë që bën në palestër dhe përqendrimi i tij. Më ka ndihmuar, pasi ne duam të përmirësohemi gjithmonë. Në fillim nuk e besoja se do të vinte te Juventusi, por më pas fola me presidentin dhe mbeta i befasuar.”

OBJEKTIVAT – “Tani duam të fitojmë Superkupën. Në Serie A, tre muajt e parë ishin perfektë, por e dimë se pjesa më e vështirë vjen në pranverë. E ardhmja? Nuk e di akoma dhe për sa kohë do të luaj, por jam i përgatitur për fundin e karrierës. Jetoj çdo ditë, po zbavitem dhe do të më pëlqente të qëndroja te Juventusi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *