“Këtu luhet me të fortë e pistoleta”, Vllaznia reagon ashpër ndaj Rahovës

Plas te Vllaznia dhe kjo për shkak të deklaratave të forta të dhëna nga Arsaed Rahova, i cili në një intervistë të dhënë është shprehur se ka ndërhyrje të shumta dhe presione, madje në ndeshjen kundër Astanës ai akuzon se vetë administratori Suad Lici ka dhënë urdhër që ai dhe Smajli të mos aktivizohen. Klubi shkodran ka reaguar dhe ka hedhur poshtë ato që Rahova ka deklaruar, ndërkohë që ka treguar edhe të tjera problematika që kanë pasur me të.

QËNDRIMI I VLLAZNISË – “Në lidhje me shumë insinuata të dala në media dy ditët e fundit, sqarojmë se kjo zhurmë e krijuar, bëhet e qëllimshme për t’i prishur punë Vllaznisë. Sa i takon futbollistit Arsaed Rahova dhe deklaratave të fundit të tij, sqarojmë se që nga momenti i ardhjes së tij tek Akademia Vllaznia, ka ardhur me problematika sepse nuk ka sjellë dokumentacionin e duhur nga KF Shkodra me të cilin është stërvitur tre vite rresht dhe prandaj KF Vllaznia është në gjyq me këtë klub për periudhën e formimit të tij. Ndërkohë, më 24 janar të këtij viti ka firmosur kontratë me klubin Vllaznia dhe ai e di vetë se si ka firmosur, me gjithë këto problematika.

Me kalimin e muajve, lojtari duke qenë i pakënaqur, ka kërkuar të largohet nga Vllaznia. Mbas disa kontakteve që kemi patur me familjarët e tyre, kemi qenë të gatshëm ta japim në huazim, por nuk ka dëgjuar. Ka kërkuar të marrë leje-kalimin pa shlyer asnjë detyrim ndaj KF Vllaznia, ndërkohë që kemi qenë të gatshëm ta lëmë të lirë nëse ai do të shlyente detyrimet e formimit ndaj KF Shkodra.

Por sërish nuk ka pranuar dhe në këto kushte, del në media dhe hedh baltë mbi klubin Vllaznia duke përmendur fjalë e shprehje të padenja për një futbollist. Sa i takon ndërhyrjeve të administratorit në formacionin e ekipit U19 për ndeshjet e “Uefa Youth League”, besojmë se nuk është në karakterin dhe personalitetin e tij një veprim i tillë. Kjo është lehtësisht e verifikueshme sepse stadiumi ka kamera dhe për më tepër këto pretendime bien poshtë sepse ky lojtar, por edhe Smajli kanë qenë titullar në formacion në atë ndeshje.

Rahova e Smajli, titullarë kundër Astanës

Bëjmë me dije se që nga dita e sotme futbollisti Arsaed Rahova është i lirë të largohet duke paguar detyrimet që ka për periudhën e formimit tek KF Vllaznia. Ne nuk jemi bërë asnjëherë pengesë për karrierën e asnjë futbollisti dhe shpresojmë që Rahova me shokë të flasin më shumë në fushë sesa në media. Klubi dhe instancat e tij përveç projekteve të tjera, e kanë vëmendjen tek Akademia dhe këtë e tregon se disa nga elementët më të spikatur të ekipit U19 janë nën kontratë dhe këtu bëhet për Lekajn, Shimajn dhe Repajn.

ÇFARË THA RAHOVA – “Te Vllaznia janë lojtarë të Partisë, lojtarë të fortësh që luajnë në emër të të dikujt tjetër apo janë të fortë me bashkinë ose me mik. Ne i njohim, sepse kemi qenë aty dhe i dimë të gjitha. Por s’dua të jap emra sepse fajin e ka administratori që i bën këto gjëra. Mund të ketë lojtarë që janë futur edhe duke u vënë pistoletën në kokë drejtuesve dhe administratori mund ta dijë shumë mirë këtë gjë, sepse edhe mund t’i ketë ndodhur. Lojtarët futen te Vllaznia përmes të fortëve, me para, me pistoleta dhe me të gjitha mënyrat. Këto ndodhin edhe më shumë se vitet e tjera”, është shprehur mes të tjerash ish-kapiteni Rahova në një intervistë për “Panorama Sport”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *