Këshilla e Kallucit: Luftëtari të mbajë trajnerin me çdo kusht

Gëzim Beqiri

Paraqitja e Luftëtarit në kampionatin e fundit është vlerësuar nga të gjithë. Theodhor Kalluci, ish-futbollist i Luftëtarit të vitit ‘70-80, por edhe i Partizanit, si dhe trajner dy sezone me gjirokastritët, mendon se ekipi luajti futboll të bukur dhe rezultativ. Pasi përmend faktin se më shumë duhej të punohej në lojën mbrojtëse, Kalluci i jep shumë merita trajnerit Milinkoviç, duke e konsideruar një profesionist të vërtetë. “Luftëtari duket se i është kthyer asaj tradite në lojën e vet, duke përdorur me shumë efikasitet kundërsulmin dhe shumica e golave kanë ardhur nga kjo mënyrë loje. Skuadra duhet të drejtohet nga ky trajner edhe në vazhdim, por edhe duhet të ruajë grupin e tanishëm. Sipas tij, futbollistët e këtij sezoni janë në moshë të re dhe kanë të ardhme, sepse një kampionat më shumë është eksperiencë më shumë dhe për një futbollist kjo është e nevojshme. Janë 6-7 futbollistë 20-21 vjeç, të cilët jo vetëm janë ende nën kontratë me këtë skuadër, por edhe afrimi i tyre në këtë ekip ka pasur si qëllim të parë të mbeten në Gjirokastër, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të pretendohet më shumë se vendi i 4-t. Është e natyrshme që do të ketë edhe lëvizje, por nga përbërja e tanishme duhet të ketë më pak largime se afrime. Stafi teknik e ka pasur kohën e mjaftueshme të bëjë përzgjedhjen për futbollistët e duhur, jo për emra konkretë, por sipas pozicioneve dhe roleve, ku janë vënë re më shumë mangësi. Edhe pse në shumicën e ndeshjeve  Luftëtari ka pasur mungesa titullarësh, sidomos në fazën e 4-t, përsëri ekipi ka funksionuar mirë, sepse futbollistët nuk bëjnë shumë diferencë në lojë. Te Luftëtari ka disa futbollistë, që luajnë në çdo rol dhe ky është treguesi më i mirë te një futbollist. Luftëtari ka luajtur një futboll të bukur edhe kur nuk ka mundur të fitojë, por i rëndësishëm është rezultati, ndaj duke qenë po ky staf teknik, me shumicën e futbollistëve që janë aktualisht në ekip, punët do të venë më mirë. Luftëtari i ka të gjitha mundësitë, që në kampionatin e ardhshëm të arrijë rezultate më të larta, – ka thënë Kalluci.

TIRANA – Kalluci ka një mendim edhe për daljen e Tiranës nga Superliga: “Diçka normale edhe kjo, që e “zbukuron“ kampionatin. Kanë qarë më parë se Tirana edhe Partizani, që arriti deri sa të luante me ekipet e komunave, Dinamo që nuk dihet kur do ngjitet, por edhe Luftëtari ka ”qarë” shumë herë. Edhe nëse bie Skënderbeu, gjë që nuk e dëshiroj, përsëri skuadra që duhet të ngjitet në Superligë duhet të jetë njëra mes Besëlidhjes dhe Bylisit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *