Leonardo Bonuçi vendosi të linte Juventusin në verën e kaluar për t’u transferuar te Milani. Kuqezinjtë e pritën mirë, madje i dhuruan dhe shiritin e kapitenit, ndërsa tifozët bardhezinj shpërthyen në kritika dhe ofendime ndaj mbrojtësit.
Verë tjetër, verë e re. Kësaj herë ishte radha për t’u rikthyer mbrapsht. Bonuçi largohet nga kuqezinjtë për t’u rikthyer te Juventusi. “Bëra gabim që u largova te Milani”, shprehej Bonuçi, pasi kishte insistuar që nuk do e linte më Milanin, në asnjë mënyrë, madje duke festuar golin e tij kundër bardhezinjve në Torino, çka solli acarimin e tifozëve të Juves.
Kësaj radhe kritikat ishin më të shumta. Zhgënjim i madh i milanistëve, por dhe shumë juventinë nuk e donin më në ekip. Bonuçi si futbollist është fantastik, ndërsa Leonardo si njeri u tregua shumë i vogël.
Gjatë ndeshjes së mbrëmshme, Milan-Juventus, ishte radha për t’u rikthyer përsëri në Milano. Tifozët e Milanit mezi e prisnin, sigurisht për ta fishkëllyer, sharë dhe ofenduar, por 31-vjeçari bën surprizën e radhës. I kërkon Alegrit të mos luajë në këtë sfidë dhe ndjek nga stoli fitoren e bardhezinjve me golat e Manxhukiç dhe Kristiano Ronaldos.
Në fund të ndeshjes, Bonuçi reagon në rrjetet sociale, duke shkruar: “Këto lloj fitoresh kanë shumë peshë dhe vlejnë dyfish. Duhet të reagonim dhe u përgjigjëm si një skuadër e madhe”. Një postim që nuk i ka pëlqyer tifozëve të “Djallit”, të cilët kanë shpërthyer kundër Bonuçit.
“As juventinët nuk të mbrojnë më, akoma ke kurajë të flasësh?”, ishte njëri ndër komentet më pikantë dhe… realistë. Bonuçi i ka bërë lëmsh të gjithë, mungesë sinqeriteti dhe mungesë guximi për të luajtur mbrëmë. Të paktën të flasë vetëm në fushë, ndërsa jashtë saj të “heshtë”…