Kërkesa për largim? Emini e ka depozituar që në shkurt

Padi e kundërpadi. Presidenti Gjici shpjegoi rrugën që duhet të ndiqnin lojtarët për t’u larguar, rrugë kjo që përputhet me atë që ka ndjekur Emini

Jurgen Zela

Nuk ka paqe mes Kukësit dhe Izair Eminit. Tetovari dhe kampionët tashmë nuk duket se janë në një luftë të hapur që ka marrë udhë drejt FIFA-s, ku dhe do të marrë zgjidhje kjo përplasje. Fundi i aventurës europiane bëri që Kukësi të niste një “odise” me disa prej lojtarëve të tij që pretendonin largimin dhe nuk pajtoheshin me rinovimin automatik. Më herët tek kampionët ishte hapur dhe një çështje e ngjashme me Albi Allën, me këtë të fundit që refuzoi të luante në kupat e Europës. Si qendërmbrojtësi ashtu dhe “gardiani” Enea Koliçi gjetën gjuhën e përbashkët, duke firmosur një kontratë të re me detaje financiare shumë herë më të mira, por dhe të pastruar nga klauzolat. Nijas Lena ishte i vetmi që ndërpreu bashkëpunimin me konsensus dhe u transferuar tek Teuta, ku tashmë ka nisur një aventurë si kapiten. I vetmi që vijon të jetë në “armiqësi” me Kukësin është sulmuesi Emini, i cili është bashkuar me Shkëndijën e Tetovës dhe dëshiron që ta vazhdojë atje karrierën. Lojtari deklaroi se arsyeja që kërkon largimin është familjare dhe ka refuzuar dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin si në rastin e Koliçit e Allës. Situata duket e nxehtë dhe aspak e qetë,sepse lojtari fillimisht depozitoi padinë në FIFA kundër Kukësit, por dhe kampionët kanë vepruar në të njëjtën mënyrë, duke kërkuar që lojtari të kthehet ose të paguaj klauzolën e largimit që arrin shifrën e 300 mijë eurove.

KËRKESA E LARGIMIT

Kush është “çelësi” për t’u larguar nga Kukësi? Vetë presidenti Gjici në intervistën për “RTSH Sport” preku çështjet e të gjithë lojtarëve të cilët u përfolën në muajin e fundit që ishin në konflikt me Kukësin. Në mënyrë specifike Gjici tregoi se si u largua Lena, duke treguar rrugën që ndoqi strugani. Kërkesa e depozituar në FSHF nga ana e 31-vjeçarit e kishte nxjerrë lojtarin të lirë. Rasti i Eminit duket identik, megjithatë Kukësi pretendon me forcë që lojtari është pjesë e tyre. “Sport Ekspres” ka mundur që të sigurojë kërkesën e largimit që ka bërë sulmuesi tetovarë që në muajin shkurt, duke qenë brenda afatit të përcaktuar në kontratë. Në këtë pikë sulmuesi është treguar korrekt, por jo për Kukësin, që pretendon përsëri që lojtari është nën kontratë.

 

Kukësi, realisht, nuk e kishte në planet e veta, por pas paraqitjes së shkëlqyer kundër Sherifit në Elbasan dhe pas largimit të Pejiçit, ndërroi mendje, duke aktivizuar klauzolë rinovimi automatik. Presidenti Gjici i qëndron hipotezës që duhej të ishte treguar korrekt lojtari, megjithatë tashmë gjithçka duket e qartë, kleçka e luftës Emini-Kukësi nuk qëndron këtu, por diku tjetër. A ishte në dijeni të kësaj kërkese presidenti Gjici, pasi duket se peshorja në këtë pikë po anon nga lojtari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *