Gjici i shpall luftë Shkëndijës: Kanë gabuar me Eminin!

Presidenti i Kukësit këmbëngul se Emini është nën kontratë, duke akuzuar Shkëndijën se kërkon ta federojë. Nuk mungojnë sulmet edhe ndaj ish-trajnerit Ernest Gjoka

Jurgen Zela

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, nuk kursehet aspak kur bëhet fjala për deklaratat, sepse në një intervistë të gjatë për “RTSH Sport” nga Ohri, numri një i klubit të Kukësit ka prekur shumë tema, duke nisur që nga trajneri Milinkoviç dhe deri tek çështjet delikate të kontratave. Champions League nuk harrohet lehtë nga Gjici, i cili vijon që t’ia faturojë humbjen trajnerit Gjoka dhe stafit të tij. Merkato, objektivat, por dhe rivalët, nuk mund të dilnin jashtë fokusit të presidentit kuksian, i cili gjithashtu komenton dhe ecurinë e Skënderbeut, që tashmë është rekordmeni i ri, për sa i përket tureve të kaluara në Europë. Gjici i thotë të gjitha.

Po i afrohemi fillimit të kampionatit, si e keni parë skuadrën deri në këto momente?

-Në përgjithësi më ka pëlqyer skuadra, por normalisht është në kulmin e ngarkesës dhe besoj se është në rrugën e duhur, por mund të them se pres shumë nga lojtarët e ardhur së fundmi.

Merkato është ende e hapur, mund të kemi dhe ndonjë goditje tjetër? Ju ka kërkuar ndonjë prurje të fundit trajneri Milinkoviç?

-Jo, trajneri është i kënaqur me plotësimin e të gjitha reparteve të skuadrës. Madje mund të themi se ka shumë lojtarë në skuadër. Në fund të këtij muaji mund të vendosim që ndonjë element ta kalojmë tek skuadra e dytë. Në përgjithësi merkato është mbyllur dhe trajneri besoj është i kënaqur me merkaton. Me afrimet e fundit, të Frashërit, Allës, apo Koliçit besoj se ekipi është i plotë në çdo repart. Kemi plot 18 lojtarë që janë të të njëjtit standard. Topi është në këmbët e trajnerit për të ecur përpara, për të realizuar ato objektiva që ka marrë përsipër.

Nga lojtarët deklaruat që prisni më shumë, po nga trajneri Milinkoviç jeni i kënaqur, me punën që ka bërë deri më tani?

-Besoj së është një staf profesionist me punën që ka bërë deri më tani. Është ende herët, pasi kampionati ende nuk ka nisur, për të parë rezultatet tamam siç duhet për të parë ekipin, por unë them që është një staf profesionist që punon fort, me nga dy seanca në ditë. Raportet që sjell më pëlqen shumë tek ky staf, pasi sjellin raporte teknike çdo javë, për të parë se si ka ecur ekipi, si kanë ecur lojtarët në veçanti. Këto raporte kanë të dhëna për sa i përket gjendjes fizike, anës taktike dhe teknik, por dhe të gjitha aspektet e tjera, për sa i përket disiplinës dhe rregullit në ekipit. Është ende herët të gjykojmë, pasi duhet të presim rezultatet që do të vijën. Unë i kam marrë për staf profesionist dhe besoj se kështu do të jetë deri në fund të kampionatit.

Në dijeninë tuaj, mund të kthehet në një problem çështja e kontratës së trajnerit Milinkoviç?

-Me sa di unë, ne jemi interesuar pranë FSHF-së para se të lidhnim kontratën me Milinkoviçin dhe na është njoftuar se kontrata me Luftëtarin ka përfunduar. Këto janë probleme mes klubit të Luftëtarit dhe trajnerit, për ato pretendime që kanë me njëri-tjetrin. Ne dimë se kontrata me Luftëtarin ka përfunduar.

Milinkoviç bëri mjaft mirë me Luftëtarin, pasi nuk kishte presion për një objektiv madhor, por tashmë që drejton Kukësin, që synon të gjithë trofetë e mundshëm, mendoni se mund të ketë ndikim tek tekniku?

-Tek Luftëtari bëri një punë të madhe dhe arriti dhe zonën e Europës, pavarësisht se ndeshja e fundit e ndau. Unë besoj se do të japë akoma më shumë se tek Luftëtari, sidomos me këtë kualitet lojtarësh që ka dhe fakti se ai ka shprehur në media se është i kënaqur me merkaton dhe e ka skuadrën të plotësuar tashmë. Besoj se do të japë rezultate shumë të mira tek ne. Shumëkush mund të thotë se një trajner që nuk ka provuar trofe ndoshta sfumohet tek skuadra të mëdha, por kjo mund të ndodhë tek lojtarët dhe jo tek trajnerët. Ai që është profesionist, bën mirë jo vetëm tek ekipi i vogël, aq më shumë kur ka kualitete tek ekipi i madh. Unë kam besim sepse unë i kam vlerësuar dhe kërkesat për ndihmësit e tij, pasi ka ndihmës shumë të mirë. Janë katër ndihmës që i ka marrë vetë. Kam investuar shumë në staf këtë radhë, pasi shija e hidhur e moskalimit të turit të dytë të Championsit më ka bërë që të investojmë akoma më shumë.

Ende jeni në të njëjtin mendim se ishte stafi teknik ai që ju eliminoi nga Champions-i?

-Patjetër. Stafi teknik duhet ta kalonte turin e parë, pasi 2-0 në Champions në pjesë të parë duhej të ishte menaxhuar më mirë. Me 2-0 do ishim ne në turin tjetër, eliminimi i ka sjellë një dëm të jashtëzakonshëm financiar klubit, por veç kësaj dhe historisë së klubit. Mund të shkonim dhe më larg se aq, mund të shkonim ndoshta dhe në grupe. Mos respektimi i atyre bisedave mes meje dhe trajnerit bëri atë që e ndëshkoi dhe nuk avancoi më tej në Champions, që realisht na ka ngelë një pikë, që çdokush trajner tjetër do e kishte kaluar. Një fat si në pjesën e parë nuk mund të ketë. Ajo tashmë i përket të shkuarës, nuk i rikthehem. Gjoka bëri mirë gjatë gjithë kampionatit, por trajnerët e mëdhenj e tregojnë veten atje ku është për t’u treguar. Nuk dua t’u futem detajeve teknike, me zëvendësimet nëse bëri mirë apo keq. Shija e keqe dhe dëmi i shkaktuar bie vetëm mbi stafin teknik.

Në fillim të muajt patët shumë probleme me kontratat, ndërsa tani lojtarët janë rikthyer, madje dhe të lumtur, cili është metoda që i bindët për të ardhur përsëri tek Kukësi?

-Faleminderit medieve që i kanë bërë reklamë Kukësit, edhe pse u skualifikuam nga turi i dytë i Champions League-s, pasi u merrnin të gjithë mediat me Kukësin. Jam shumë dakord se duhet të merren me ekipin kampion, por isha me pushime në atë periudhë. Jam informuar vetëm përmes zëdhënësit të shtypit, pasi vetë isha larg, por ja që të gjithë lojtarët që pretendonin se nuk ishin nën kontratë janë pranë Kukësit, me përjashtim të Eminit që dhe ai është nën kontratë. Emini është një çështje që mund të bisedohet mes Kukësit dhe Shkëndijës, për ta transferuar lojtarin sipas rregullave. Klubi i Kukësit ka dërguar shkresë pranë klubit të Shkëndijës dhe Federatës, për këtë lojtarë. Shkëndija ka bërë një gabim që e ka pranuar lojtarin në stërvitje dhe e ka veshur me uniformën e saj, por mbi të gjitha ka bërë një faj që i ka lidhur kontratë dhe ka aplikuar në sistemin e FIFA-s. Kjo besoj se mund të ndëshkohet, nëse çështja do të shkojë deri në FIFA. Pa diskutim edhe lojtari. Them se Shkëndija duhet të paraqesë kërkesë pranë klubit të Kukësit nëse dëshiron shërbimet e atij lojtari, pasi Emini ka kontratë me ne.

Lena po ashtu kishte pretendimet e tij për kontratën, por tashmë është pjesë e Teutës…

-Lena është treguar shumë korrekt me atë që ka bërë. Ai ka qenë në kontratë të rinovueshme automatikisht, por Lena ka vepruar, ndoshta me juristë dhe avokatë, ka vepruar drejt, pasi ka dërguar shkresë dy muaj para, sipas kontratës që nuk do të rinovojë pa negocim me Kukësin. Në këto rrethana Lena ishte brenda normave dhe rregullave. Juristët e klubit kur kanë vajtur në FSHF, pasi klubi nuk e ka pasur këtë shkresë, por pasi kanë parë këtë shkresë dhe Lena ka dalë lojtar i lirë dhe mund të shkonte ku të donte. Lena iku atje dhe nuk ka pasur asnjë debat. Nga Teuta ka ardhur tek Kukësi dhe deklaroi se ishte shumë i lumtur, doli kampion, u rikthye tek Teuta dhe thotë që është shumë i lumtur dhe aty. I ectë mbarë. Lena ka respektuar të gjitha rregullat e klubit, edhe rregullat e transferimit të lojtarëve.

I keni ndjekur rivalët gjatë kësaj periudhe? Kë shihni si më të rrezikshmin?

-Ne kemi bërë një merkato shumë të fuqishme këtë vit dhe ndoshta shumë herë më të fuqishme se herën e kaluar. Është vështirë për ta marrë titullin kampion, por është akoma dhe më vështirë për ta mbajtur atë. Besoj se i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e stafit teknik, për lojtarët. Nuk i kam ndjekur shumë, pasi kam pasur dhe angazhime të tjera, por me sa kam dëgjuar kanë bërë merkato të mira, si Partizani, po ashtu dhe Skënderbeu që është në aktivitet. Nuk do të harrojmë skuadrat e tjera, si Teuta që më ka pëlqyer, po ashtu dhe Flamurtari. Do të jetë një kampionat shumë i fortë, konkurrues. Atë për të cilin flisnin para më shumë se një viti, që ky kampionat nuk është i fortë, nuk ka produkt, ka qenë i gabuar. Kemi treguar se kemi një kampionat shumë të fortë dhe ka produkt shumë të fortë. Analistët sportivë, ose pinë ndonjë gotë verë dhe më pas dalin e flasin sipas oreksit, ose nuk i ndjekin mirë ndeshjet, pasi ndodh krejt e kundërta në Kupat e Europës, ku zhvillohen ndeshje shumë të mira. Edhe ne bëmë një ndeshje shumë të mirë, por stafi teknik duhet ta menaxhonte më mirë ndeshjen, pasi luajtëm shumë mirë. Mund të them që ishte një nga ndeshjet që rrallë herë është parë në kampionat shqiptar. Po ashtu dhe Skënderbeu zhvilloi ndeshje shumë të mira me një skuadër të madhe si Dinamo e Zagrebit.

Tashmë është Skënderbeu rekordmeni për sa i përket tureve të kaluara në Europë, ju vjen keq për këtë?           

-Jo, nuk më vjen aspak keq. E kam thënë dhe më parë, por po e them përsëri, çdo ekip shqiptar që kalon ture në Europë, që shkon në grupe të Championsit apo Europa League-s, është një kënaqësi e jashtëzakonshme, pasi nuk luajnë vetëm për atë klub, por ata përfaqësojnë flamurin shqiptar, kudo në çdo vend të Europë ku luajnë. Si Skënderbeu, Partizani, Kukësi, apo dhe të gjitha skuadrat e tjera që marrin pjesë në Kupat e Europës duhet t’u themi bravo nëse kalojnë ture. Stafi im teknik nuk e kaloi turin e dytë të Championsit, nuk i them bravo, ndaj është ndëshkuar dhe ka dalë në pension nga mua. Të gjithë trajnerët që janë larguar nga Kukësi, nuk kanë arritur të marrin ekipe të mëdha, shumica janë pa punë. Trajnerët e mëparshëm i falënderoj për punën që kanë bërë, por lufta bëhet për të shkuar në Europë, për të kaluar një tur apo më shumë, për të marrë të ardhura dhe vetë trajneri do të marrë më shumë sukses dhe të ardhura të mëdha. Këtë nuk e kam vetëm për rastin konkret, por për të gjithë trajnerët e mëparshëm.

Sezonin e shkuar hoqët dorë nga kupa, ndërkohë që këtë sezon marrëveshja verbale me trajnerin Milinkoviç është që të marrë të tre trofetë e mundshëm. Mendoni se Kukësi është më i fortë këtë sezon?

-Mendoj se Kukësi i ka kapacitetet shumë herë më të larta se vitin e kaluar për të përballuar të tre trofetë. Natyrisht që trofeu kryesor që na intereson ne është të mbrojmë titullin, por nuk do të lëmë jashtë vëmendjes dhe Superkupën, ashtu dhe Kupën. Kemi marrë lojtarë shumë cilësorë, si Alijev që është lojtar i kombëtares azere. Them se i kemi të gjitha kapacitetet për të marrë të tre trofetë. Objektivi është objektiv, nëse i arrin atëherë kupa e artë i takon trajnerit.

Po në kupat e Europës…

-Flasim për kampionatin, pasi ka objektiv tjetër për Europën, si në rastin e trajnerit Gjoka. Për kampionatin ishim në rregull dhe e falënderoj, pasi 35 ndeshje pa humbje ka meritë si trajneri ashtu dhe lojtarët e klubit. Por objektivi pastaj, që ishte nëse do të kalohej turi i dytë nuk u arrit. Unë jam njeri i fjalës dhe e mbaj fjalën. Kishim bërë një marrëveshje nëse nuk kalonte turin, nuk do të zgjasnim bashkëpunimin.

Mund të kemi ndonjë surprizë në merkato?

-Unë së bashku me trajnerin e kemi mbyllur merkaton, vetëm nëse vjen ndonjë super talent që mund ta afrojmë. Mendoj se kemi shumë lojtarë dhe nuk di si do t’i menaxhojmë, megjithëse ka shumë ndihmesa dhe besoj se çdo lojtar e ka trajnerin e tij për të bërë stërvitjet e duhura. Unë pres tani nga trajneri, pasi deri më tani ai ka pritur nga unë dhe unë ja kam sjellë të gjithë lojtarët që më ka kërkuar. Tani unë pres realizimin e objektivave që ka marrë përsipër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online