Ëndrra e një futbollisti është fitimi i çdo trofeu të mundshëm. Rafael Varan mbush 26 vjeç me datë 25 prill, por francezi ka fituar pothuajse gjithçka. Një nga mbrojtësit më të mirë në botë ka nxjerrë një libër.
Titulli nuk mund të ishte ndryshe përveçse “Arti i të fituarit”. Qendërmbrojtësi ishte vetëm 18 vjeç ku la Lensin për t’u transferuar te Reali në vitin 2011. Ai ka provuar deri tani çdo shije triumfi.
Varan ka fituar 2 kampionate në Spanjë, 1 kupë Mbreti, 2 Superkupa spanjolle, 4 Champions Liga, 3 Superkupa Europiane, 4 Botërorë për klube dhe Botërorin Rusi 2018 me Francën. I mungon vetëm një europian, të cilit i shkoi shumë pranë me Francën në vitin 2016 dhe një Ligë Europe, kompeticion në të cilin nuk ka luajtur kurrë.
Francezi vuajti disi në fillim për t’u përshtatur në kryeqytetin spanjoll. “Kur erdha në aeroportin e Madridit, pashë se kishin ardhur shumë gazetarë. Aty kuptova se Reali i Madridit ishte diçka tjetër”, kujton Varan në libër.
Ai është futbollisti më fitues i moshës së tij. Njeriu nuk ngopet kurrë, por çfarë i mungon atij? Kinemaja, pasioni i vjetër. Dikur shkonte pothuajse çdo natë. Sot nuk e bën dot një gjë të tillë.
“E kam kuptuar që në fillim që nuk do të mund të shkoja më në mbrëmje në kinema. Ai ka qenë pasioni im, por te Reali nuk mund ta bëja më diçka të tillë”, thekson Varan.