Alba Kepi ishte e ftuar mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“, ku ka folur rreth finales së Ligës së Konferencës që do të zhvillohet më 25 maj në “Air Albania“. Gazetarja shqiptare ka zbuluar fjalët që i ka thënë Murinjo në lidhje me polemikat për kapacitetin e stadiumit tonë.
“Sido që të jetë stadiumi me 30 mijë, me 50 mijë, me 70 mijë do ketë pakënaqësi. Shqipëria e meriton këtë mundësi. Këtë mundësi e ka pasur edhe Maqedonia e Veriut, që pati një hov të madh edhe në turizëm. Të njëjtën gjë uroj edhe për Shqipërinë. Është i vetmi vend në Europë që nuk e kam vizituar“, ishte përgjigja e trajnerit të Romës për Kepin.
Ndërkohë më tej gazetarja e “Ora TV“ ka treguar edhe marrëdheniet mes shqiptarëve dhe italianëve përtej Adriatikut: “Shqiptarët janë komunitet historik në Romë. Shumë kanë miq shqiptarë, shumë kanë krijuar edhe lidhje familjare. Shumë presin ta njohin nga afër. Shqipëria ka qenë një destinacion i servirur nga agjensitë turistike. Janë trembur pak nga këto ndryshimet. Biznesmenë jo shumë të ndershëm. Të them edhe lajmin e fundit që shumë veta e kanë shitur të gjithë paketën, biletë, akomodimin dhe fluturimin”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/