Keidi Bare është në rrugën e duhur dhe tani e tutje me shumë mundësi edhe Kristian Panuçi do ta ketë në fokus, sepse trajektorja e rritjes së futbollistit shkon lart me shpejtësi.
Atletiko e Madridit barazoi dje 0-0 në një miqësore kundër Tolukas në Meksikë dhe gzeta El Mundo Deportivo ka bërë një analizë, duke e cilësuar mesfushorin shqiptar “surprizën e këndshme” të miqësores së parë sezonale për skuadrën e drejtuar nga Diego Simeone.
“Bare ka lënë përshtypje të mira në fazën përgatitore deri tani, është një futbollist që i pëlqen shumë Simeones sepse nuk kursehet kurrë në aspektin fizik. Mund të luajë thuajse në çdo pozicion në mesin e fushës, edhe pse gjithmonë ruan një profil mbrojtës. Përveç kësaj, ka një gjuajtje të mirë nga distanca dhe vizion të shkëlqyer loje. Së shpejti do ta njihni mirë. Tani është anëtar i Shqipërisë U-21, por pak i mbetet që të bashkohet me kombëtaren e madhe. Bare u fut në pjesën e dytë, luajti rreth 30 minuta ndaj Tolukas, duke shkëlqyer dhe duke tentuar edhe një gjuajtje nga distanca, që shkoi pak mbi traversë”, shkruan Mundo Deportivo.