Ekipet e Kategorisë së Dytë kanë inauguruar sot edicionin 2018/2019. Formula qëndron e pandryshuar me dy grupe të bazuar sipas ndarjes gjeografike veri jug. Ditën e sotme nuk kanë munguar goleadat në disa takime, ndërsa në Këlcyrë nuk është zhvilluar ndeshja për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë,.
Grupi A
Mirel Çota i ka dhënë fitoren skuadrës së Sopotit në takimin ndaj Tiranës B. Sulmuesi me eksperiencë të gjatë në Kategorinë Superiore, shënoi një dopietë në minutat e fundit të takimit duke përmbysur skuadrën rezervë të 24 herë kampionëve të vendit. Një tjetër ekip rezervë që është mundur ka qenë i Kukësit B, që u mposhtë me rezultatin 1-4 në Zeqir Ymeri nga Tërbuni.
Luzi ka fituar me rezultat minimal 1-0 ndaj Klosit, ndërsa Ada ka mundur në transfertë Kevitani 2-4. Derbi i skuadrave të kryeqytetit midis Internacionalit dhe Spartakut ka përfunduar me fitoren e Spartakun 1-2. Ndërsa i vetmi takim i Grupit A që ka përfunduar në barazim ka qenë ai midis Vllaznisë – Partizanit, takim që mbaroi me rezultatin 1-1. Golin për Partizanin e shënoi sulmuesi i ardhur nga akademia Klejdi Daci, ndërsa për vendasit shënoi mbrojtësi Ergi Borshi.
Grupi B
Në takimet e grupin B nuk ka pasur asnjë barazim. Maliqi ka mundur në transfertë Përmetin me rezultatin 3-1, ndërsa si mysafir ka fituar dhe skuadra e Termit, skuadra e sapo ngjitur në Kategorinë e dytë ka befasuar duke mposhtur Delvinën me rezultatin 4-2. Naftëtari konfirmon krizën pas ikjeve të shumta gjatë merkatos së verës, ekipi kuçovar, është mundur në shtëpi 0-1 nga Gramozi.
Shkumbini e ka nisur me fitore duke mundur Memaliajn. Golin për peqinasit e shënoi Lluca në minutë e 54-të. Me të njëjtin rezultat ka fituar dhe Devolli, skuadra juglindore mposhti Butrintin. Fitore siguroi dhe Skrapari, që siguroi tri pikët pasi mundi me rezultatin 3-2 Albpetrolin. Ndërsa takimi midis Këlcyrës dhe Tepelenës nuk u luajt për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë.