Situata e Monakos së drejtuar nga Tieri Henri po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar, pas humbjes së sotme 5-1 në shtëpi ndaj Strasburgut.
Këtë janar Monako bleu qendërmbrojtësin Naldo për të rregulluar mbrojtjen (debutoi edhe Fabregas), por braziliani mori karton të kuq që në minutën e gjashtë të debutimit të tij, pasi ndali me faull sulmuesin kundërshtar Azhorke, i cili po shkonte drejt zonës.
Azhorke shënoi në minutën e 12-të dhe Tomason dyfishoi 5 minuta më vonë. Falkao shënoi një gol shprese për Monakon në minutën e 22-të, por ishte e kotë, sepse në minutat 63 e 68 Strasburgu shënoi edhe dy herë, me Sisoko e Azhorke.
Strasburgu mbeti me 10 lojtarë në minutën e 69-të, por gjithsesi beteja kishte marrë fund dhe Fofana në shtesë shënoi edhe golin e pestë për miqtë, që janë në formë spektakolare, ndërsa Monako është në zonën e ftohtë dhe gjithnjë e më shumë duket drejt zbritjes në Ligën 2, edhe pse është ende herët për të qenë kaq pesimistë.