Kastrioti pak nga pak po kompletohet para fillimit të sezonit dhe sit ka prezantuar dy përforcimet e radhës. Fillimisht i riu Julian Shehu, kthyer pas një eksperience ne Greqi, ndërsa në mbrëmje është zyrtarizuar firma me sulmuesin e ri Patrik Bardhi.
Vetëm 20 vjeç, Bardhi ka qenë pjesë e Tiranës dhe sezonin e fundit Ze Maria i dha besim, aq sa luajti 539 minuta në Kategorinë e Parë dhe shënoi edhe 2 gola.
Çuditërisht, Tirana nuk e konfirmoi, duke e lënë të lirë, ndaj përfitoi Kastrioti. Krutanët e mbajtën disa javë në provë sulmuesin, i cili ka bindur, duke bërë mjaft mirë edhe mesfushorin në miqësoret bullgare, ndaj trajneri Elvis Plori ka dhënë OK për firmën me të.
Bardhi ka firmosur kontratë 3-vjeçare në Krujë, çka flet qartë për seriozitetin e Kastriotit, që nuk mendon vetëm per sezonin e radhës dhe më pas rindërtimin, si rëndom në Shqipëri. Skuadër e re, shumë lojtarë poshtë 23-24 vjeç dhe kontrata afatgjata, Kastrioti me pak durim mund të bëjë gjëra të bukura.