Kastrioti nuk e ka objektiv Kupën, trajneri Devolli kërkon fitore morali me Partizanin

Nesër në takimin e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, Bledar Devolli bën debutimin e parë zyrtar në pankinën e Kastriotit. Do të jetë sfida me Partizanin që do të luhet në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës, por pa praninë e tifozëve, sepse fusha është e dënuar pas ndeshjes me Teutën në javën e 17-të të Superiores. Dhe trajneri i skuadrës krutane deklaron për SportEkspres.com se kjo do të jetë edhe një ndeshje morali për ta fituar.

“Kastrioti nuk e ka në objektivat e këtij sezoni Kupën e Shqipërisë, por në ndeshjen nesër ndaj Partizanit ne do jemi një skuadër dinjitoze. Unë e kam parë skuadrën në katër miqësoret që kemi zhvilluar në këtë periudhë, dhe kam besim se nesër do të tregojë vlerat më të mira të saj”, ishte kjo deklarata e Bledar Devollit për takimin nesër me Partizanin.

Njëherësh gjirokastriti i pankinës krutane, këtë përballje e kërkon edhe si një fitore morali për ndeshjen në Kampionat ndaj Luftëtarit në Gjirokastër. “Me Partizanin duhet ta fitojmë ndeshjen edhe për moral, me qëllim që skuadra të shkojë me besim për të marrë tri pikët në ndeshjen e javës së 19-të me Luftëtarin në Gjirokastër. Nesër luhet pa tifozë, por kjo nuk do të jetë problem për Kastriotin, dhe do kemi mundësinë që ti shohim më mirë afrimet e reja në skuadër”.

Ja vendimi i Komisionit të Displinës, datë 20 dhjetor 2018:

1. KS “Kastrioti”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur fjalë dhe xheste ofenduese, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *