Trajneri Stavri Nica u largua nga drejtimi i Kastrioti pas ndeshjes me Kukësin. Tekniku u shpreh i pakënaqur në fund të ndeshjes së javës së 18-të, duke sinjalizuar se nuk e ka të mundur që të vazhdojë në këtë mënyrë. Mbeten pa trajner krutanët, të cilët duhet të gjejnë një timonier të ri sa më parë. Nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë, duke ditur edhe pozitat se ku ndodhen.
Nga skuadra janë larguar jo pak lojtarë, ndaj në janar priten lëvizje të shumta. Diferenca me zonën e shpëtimit nuk është e madhe, edhe pse dihet që lufta për mbijetesë është mjaft e madhe. Drejtuesit po shqyrtojnë kandidatë e mundshëm për të marrë drejtimin e skuadrës, por në të njëjtën kohë po vëzhgojnë edh enë tregun e lojtarëve.
Strategjia do të jetë e tillë: pasi të zgjidhet trajneri, vetëm ai mund të japë konfirmimi për lojtarët që do të vijnë.
Pritet që disa lojtarë nga Kategoria e Parë të vijnë në skuadër për t’u provuar, gjithsesi kjo pjesë mbetet për t’u saktësuar pasi të emërohet trajneri i ri. Ende nuk ka një emër konkret se kush mund të marrë drejtimin Kastriotit, por drejtuesit po mendojnë që të gjejnë pasuesin e Nicës para fundit të vitit.