Kur dëgjon emrin e Antonio Kasanos të vjen ndërmend një miks midis gjenialitetit në fushë dhe çmendurive dhe idiotësive pafund. Barezi i famshëm është një nga pengjet më të mëdhenj të futbollit italian, pasi nuk arriti kurrë të shprehte gjithë potencialin e tij.
Rrëfimet e tij janë interesante dhe origjinale. Kështu ka ndodhur dhe kësaj radhe në prononcimin e dhënë për “Sky Sport 24”. Kasano prek shumë tema, duke e nisur me Higuain dhe Ikardin, ndeshjet më të bukura në karrierë, çështjen e racizmit dhe ndeshjet derbi.
Kasano i rikthehet dhe shpërthimit të vitit 2010 ndaj Garrones, presidentit të Sampdorias, të cilin e ofendoi me fjalët “këlysh k… dhe plak m….”, gjë për të cilën ndihet akoma i turpëruar. Më pas dhe krahasimi për talentët e rinj dhe çmimet e çmendura që po qarkullojnë sot në futboll.
HIGUAIN – “Higuain është i vetmi lojtar i mirë i Milanit. Në vend që ta shesin, kuqezinjtë duhet ta ndërtojnë skuadrën rreth tij. Unë do të bëja si Gatuzo: do ta mbyllja në shtëpi. Nëse do të kisha shkopin magjik në dorë, do ta dërgoja tek Interi në vend të Ikardit, sepse Pipita është një super kampion. Ikardi? Nëse dëshiron të largohet do i thosha: ‘rruga e mbarë’. Ky është mendimi im.”
RACIZMI – “Nuk arrij t’i kuptoj këto episode, por jemi të gjithë njësoj. Mendoj se ky problem ekziston në Itali dhe kam përshtypjen se jemi me të vërtetë një vend racist.”
BARELA-ZANIOLO-ALAN – “Sot zhvillojnë 2-3 ndeshje të mira dhe çmimi u shkon në 50, 60, 70, apo 80 milionë euro. Futbolli po shkon në një drejtim të gabuar. Kjo është diçka e çmendur dhe nuk më pëlqen aspak. Sa duhet të paguajmë për Tiago Alkantarën? Sa vlenin Iniesta, Ksavi dhe Pirlo? Alkantara vlen pesëfishin e Barelës. Zaniolo është një lojtar i mirë dhe i ri. I pëlqen të luajë shumë në aspektin fizik dhe më pëlqen, sepse ka personalitet. Do të jetë një Pogba i ardhshëm? Nuk e di, por më pëlqen shumë. E krahasojnë me Totin? Po, natën e mirë! Alan te PSG? Nëse francezët ofrojnë 80 milionë euro, do ta nisja në këmbë për në Paris.”
GOLI I PARË – “Më ndihmoi shumë ai gol kundër Interit, por unë do të arrija sërish të bëhesha një futbollist i nivelit të lartë. Isha i mbushur me vetëbesim, isha i sigurt që herët apo vonë do ia dilja, sepse ky ishte fati im. Sigurisht që goli kundër Interit ma thjeshtoi rrugëtimin. Mendoja se po zhvilloja një ndeshje të mirë, ashtu siç mendoja se do të ishte shoku im i skuadrës që do të bëhej i famshëm. Cilësia e lojës time ishte e çmendur, nuk ishte rastësi, por talenti që më kishte dhuruar nëna natyrë. Vitet më të bukura i kalova te Sampdoria, por nuk harrohet as titulli i fituar me Milanin.”
GARRONE – “Kam bërë shumë gabime, por do të paguaja gjithë floririn e botës për të mos e bërë atë me presidentin. Tregova mungesë respekti dhe më vjen keq për atë gabim të mallkuar, në atë ditë të mallkuar. U trishtova shumë dhe i kërkova 1 mijë herë falje presidentit dhe djalit të tij.”
DERBI – “Më i bukuri ishte ai i Romës. Goli që shënova me kokë kundër Fernando Koutos mbetet në histori. Derbi më tërheqës ishte ai i Xhenovës. Atletiko-Real? Ka diferencë midis ekipeve për fat të keq dhe nuk është një derbi si të tjerët.”
NDESHJET MË TË BUKURA – “E preferuara ime është gjysmëfinalja e Euro 2012, ku fituam përballë Gjermanisë 2-1. Zhvillova një ndeshja madhështore për 60 minuta. Më pas zgjedh Inter-Totenhem (4-1 në Europa Ligë, sezoni 2012-2013), ku zhvillova një ndeshje stratosferike. Siç ka thënë Toti kohë më parë, unë kam dhënë 50% të asaj çfarë mund të jepja. Nuk më pëlqenin stërvitjet dhe i shkatërroja gjërat. Nëse do të bëja atë që duhej për 15 vite, do të bëhesha si Leo Mesi. Argjentinasi do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit. CR7? Luftëtar dhe atlet i madh, por Leo ka aftësi teknike të pabesueshme dhe është i paarritshëm.”
PENGJET – “Nuk kam pengje sa i përket klubeve. Le të themi që do të më pëlqente të isha pjesë e kombëtares në vitin 2006, por Lipi kishte një hierarki të rëndësishme për dhomat e zhveshjes. Nuk dëshironte lojtarë të cilët shkaktonin trazira në dhomat e zhveshjes. Kam luajtur me skuadrat më të forta në botë dhe nuk mund të them që s’kam qenë i lumtur dhe me fat. E dija se nëse do të dështoja, do të kishte një tjetër tren duke më pritur.”