Masimo Karrera u shkarkua nga puna si trajneri i Spartakut të Moskës, pas tri vitesh mjaft të suksesshme te skuadra me më shumë tifozë në Rusi, ku riktheu skuadrën te titulli kampion pas 15 vitesh mungesë në sezonin 2016/2017.
Ecuria e dobët e ndeshjeve të fundit bëri që drejtuesit të merrnin vendimin për ta shkarkuar, por Karrera është munduar të ndahet në mënyrën më të mirë me lojtarët e tij duke iu shtruar atyre një drekë, ku mungoi vetëm një person, kapiteni Denis Glushakov.
Një muaj më parë mesfushorit iu hoq shiriti i kapitenit dhe u dërgua të stërvitej me ekipin rezervë për shkak të një pëlqimi të një videoje në “Instagram”, ku një tifoz ofendonte teknikun italian. Glushakov u mundua të shfajësohej, duke thënë se i kishin vjedhur llogarinë, por kjo gjë nuk u besua nga askush.