Janik Karrasko dhe Ivan Perisiç janë dy dëshira të hershme të Unai Emerit, por dy futbollistët duket se nuk do të transferohen te Arsenali, për shkak të kërkesave të tyre financiare. Si pasojë, “Topçinjtë” kanë kthyer sytë nga një lojtar më i arritshëm.
Bëhet fjalë për yllin e Kristal Palas në Premier League, Uilfrid Zaha. I dalë nga akademia e Mançester Junajtid, sulmuesi anësor është një nga lojtarët më të mirë në kampionatin anglez dhe është po ashtu dhe lojtari më i rëndësishëm i Bregut të Fildishtë.
Zaha po mbyll sezonin e tij të pestë te Kristal Palas dhe 26-vjeçari ka shënuar në total 32 gola në Premier League me fanellën e skuadrës londineze. Lojtari nga Bregu i Fildishtë vlerësohet 40-50 milionë euro në treg, shumë e përballueshme për Arsenalin.