Në konferencën prag ndeshjes me Laçin, nuk ishte i pranishëm trajneri Ze Maria, por kapiteni Erando Karabeci. Klubi i Tiranës sqaroi se kjo ishte një zgjedhje e teknikut dhe nuk kishte asnjë problem.
Për mediat, Karabeci komentoi situatën në skuadër, por nuk la jashtë vëmendjes dhe raportet e tij me trajnerin Ze Maria, por nuk harroi dhe tifozët, të cilëve u kërkon falje, paçka se e di se duhen veprat dhe jo fjalët pasi ke humbur një derbi.
Si është marrëdhënia juaj me trajnerin?
Marrëdhënia ime është normale si mes çdo lojtari profesionist dhe trajnerit. Është një raport korrekt dhe mundohemi të respektojmë njëri-tjetrin.
Kanë ndikuar problemet jashtë fushe tek rendimenti i skuadrës?
Kur nuk merr rezultate normalisht që ka probleme, pasi lojtarët janë nën trysni, nuk janë të qetë, siç u pa dhe në ndeshjen e fundit, ku ne edhe pse fituam nuk ishim të qetë. Kur ke presionin e pikëve nuk shprehesh në maksimum. Them se problemet kanë ardhur për shkak se ne nuk kemi pasur ato pritshmëritë e duhura për rezultate që ne duam.
Sa e vështirë është ta ndjekësh ndeshjen nga stoli?
Shumë e vështirë sepse është ajo ndjesia që je i pafuqishëm për ta ndihmuar skuadrën dhe është shumë emocionale. Je më shumë në ankth. Nuk e kisha provuar, pasi 10 vjet nuk kisha pasur atë ndjesi, përveç se kur kam qenë i pezulluar apo i dëmtuar. Është ndjesi jo e mirë.
Pas Laçit ka disa ditë pushim, mund të jetë koha për reflektim pas kësaj sfide?
Kjo ndeshje ka ardhur në momentin e duhur. Ne do të kërkojmë 3 pikët dhe në këtë sfidë. Në disa ndeshje të caktuara jemi paraqitur mirë. E rëndësishme është që të marrim fitoren dhe më pas do të kemi disa ditë pushim që do të na ndihmojnë të punojmë dhe të jemi më të qetë për ndeshjet në vazhdim. Për momentin na duhen pikët, nuk na nevojitet loja e bukur.
Sa e vështirë do të jetë ndeshja me Laçin duke ditur që luani ndaj një skuadre që ende nuk ka asnjë humbje?
E kemi ndjekur Laçin dhe them se është një ekip shumë i vështirë, që mbrohet mirë. Është një ndeshje jo e lehtë. Duhet të futemi vetëm për të marrë 3 pikët. Duhet të jemi më efikas dhe të mendojmë vetëm për rezultatin, edhe pse e dimë se është shumë e vështirë.
E mendonit në fillim të edicionit se pas 8 javësh do kishit vetëm 8 pikë?
Jo, të them të drejtën jo. Edhe ata që janë jashtë ekipit nuk e kishin menduar. Kemi shumë cilësi në ekip. 18-20 lojtarë janë gati për të luajtur. Ne jem larg pritshmërive dhe duhet të bëjmë kthesë dhe të shkojmë aty ku na takon që të marrim maksimumin e grupit që kemi.
Çfarë nuk funksionin kur cilësia nuk mungon?
Futbolli nuk është vetëm cilësi, pasi është dhe çështje fati. Në javën e parë luajtëm shumë mirë dhe në fund u mundëm. Edhe në takimin pasardhës luajtëm mirë, por nuk fituam. Është dhe çështje fati, pasi ne kemi luajtur mirë në ndeshje të caktuara. Nuk është vetëm puna dhe përkushtimi, them se 50% është fat dhe ne nuk e kemi pasur, pasi maksimumin e kemi dhënë.
E keni studiuar Laçin?
Ne do të zhvillojmë lojën tonë. Duhet ta detyrojmë kundërshtarin të qëndrojë në gjysmëfushën e tij dhe ta kontrollojmë lojën. Uroj që ta godasim sa më shpejt, pasi Laçi mbrohet shumë mirë. Do bëjmë maksimumin e mundshëm.
Sa ndryshon fakti se formacioni ka ndryshuar çdo javë?
Kemi lojtarë që secili meriton të ketë minutat e tij. Nga i pari tek i fundit mund të luajë në formacion dhe them se nuk ka lidhje.
Si do e menaxhoni presionin ndaj Laçit?
Është e vërtetë që jemi pak në presion, nga pikët që kemi dhe renditjes që jemi. Edhe në ndeshjet e tilla kjo ka ndikuar, pra presioni dhe trysnia e rezultatit. Do mundohemi ta menaxhojmë këtë pjesë. Uroj ta kalojmë me sukses.
Pas këtyre rezultateve e presioni që numri i tifozëve të jetë më i ulët?
Jemi si një familje, shkojmë shumë mirë dhe kalojmë shumë kohë bashkë. Sa i përket tifozëve ne nuk kemi pasur rezultatet e pritura dhe kemi humbur derbin, ndaj nuk është e lehtë për ata. Kanë të drejtë. Mund ta presim një farë acarimi nga ata dhe mund të mos jenë aq të qetë dhe kanë të drejtë. Nuk mund ta pranojnë humbjen në derbi.
Kë shikoni këtë edicion si kuadrin më të fortë?
Ka shumë skuadra të forta, por nuk dua të veçoj. Nuk ka një skuadër që bën diferenca mes skuadrave. Është kampionat i hapur dhe nuk dihet kush do të luftojë për titull, Europë apo për mbijetesë.
Keni një mesazh për tifozët?
Derbi iku dhe ne kemi ndeshje të tjera në vazhdim. Duhet që tifozëve t’i kërkojmë falje, edhe pse nuk pranohet ndonjëherë, pasi nuk mjaftojnë vetëm fjalët, duhen vepra. Uroj që të marrim rezultate pozitive dhe në derbin e ardhshëm të jemi në një situatë tjetër. E di se është e vështirë për ta që të na falin, por uroj që të na mbështesin siç kanë bërë gjithnjë. Ata janë për fanellën jo për një lojtar të caktuar.
Kanë ndryshuar objektivat e Tiranës me këtë nisje të dobët?
Është herët për të folur për këtë gjë, pasi akoma nuk ka mbaruar faza e parë dhe ka shumë ndeshje për t’u luajtur. Me dy ndeshje ndryshon renditja dhe pritshmëritë. Është herët për të folur për këtë gjë.
Trajneri dhe presidenti kanë kërkua titullin…
Kanë të drejtë ta kërkojnë pasi shpenzimet janë bërë për ta arritur diçka të tillë. Nuk mund të premtosh, pasi duhet të kesh vazhdimësi, pasi nëse nuk ke vazhdimësi nuk mund të pretendosh për titull, pasi duhet të shohim ndeshje pas ndeshje.