Kapiteni beratas Çaço premton: Jemi për top3!

Aktualisht është futbollisti me më shumë eksperiencë në skuadrën beratase, por në të njëjtën kohë mbrojtësi i djathtë i kësaj skuadre, i cili do të jetë në të njëjtën kohë edhe krahu i djathtë i teknikut Gersi Arbri në kampionatin e ardhshëm, duke dirigjuar skuadrën në fushën e lojës por duke qenë një lider edhe jashtë saj. Bëhet fjalë për kapitenin e Tomorit, 31-vjeçarin Ervis Çaço, i cili është edhe një nga idhujt e tifozerisë beratase.

Në një prononcim dhënë për Sport Ekspres, ai ka folur në lidhje jo vetëm për punën e deritanishme të skuadrës, por edhe në lidhje me të ardhmen e Tomorit në sezonin e ri, ku si pas Çaços skuadra do të jetë shumë kompetitive dhe një kundërshtar apo rival shumë i fortë për t’u mundur.

ÇAÇO – “Puna jonë është në fazën e parë të saj, që do të thotë se jemi në një moment të atillë, ku përparësi merr faza selektive e grupit që do të përfaqësojë Tomorin në kampionatin e ardhshëm, dhe nga konstatimi im si kapiten mund të them me shumë siguri, se gjithçka po ecën shumë mirë dhe brenda parashikimeve të stafit teknik, që nga ana e tij po punon me intensitet të lartë edhe për të mbyllur ndoshta brenda javës së ardhshme merkaton e kësaj vere me elementët që i nevojiten skuadrës. Unë mendoj gjithashtu se ngarkesa në rritje, që do të vijë duke nisur nga java e ardhshme, do t’i shërbejë akoma më shumë skuadrës edhe në drejtim të harmonizimit të veprimeve gjatë lojës, ku futbollistët nëpërmjet edhe ndeshjeve miqësore, do të sinkronizohen akoma më mirë, por edhe do të përvetësojmë si duhet të gjithë filozofinë e lojës dhe vendosjen taktike të udhëzuar nga ana e stafit tonë teknik.

“Besoj shumë se në kampionatin e ri do të jemi një skuadër shumë kompetitivë dhe sigurisht skuadra më e vështirë për t’u mundur nga kundërshtarët tanë, që do të thotë  se Tomori i sezonit të ri, ndonëse pa shumë zhurmë, do të jetë një nga skuadrat kryesore për të synuar kreun, ose më mirë të themi se do të jemi pa diskutim në mes tre më të mirave të grupit tonë”, ka deklaruar kapiteni i skuadrës së Tomorit, Ervis Çaço.

Nga Berati, Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *