Mbrojtësi vlonjat thekson se me ardhjen e trajnerit Lika impenjimi në stërvitje është më i madh dhe skuadra është më e përgatitur
Gëzim Beqiri
Pavarësisht kushteve të motit, Luftëtari ka zhvilluar stërvitjen dje në “Fushën e Vjetër”. Si zakonisht, pjesën e parë të stërvitjes e ka kryer përgatitësi atletik Koltsidas dhe më pas futbollistët janë përgatitur nga trajneri Hasan Lika, i cili vazhdon të drejtojë i vetëm. Lika ende nuk e ka marrë zëvendësin e tij, duke e filluar dhe mbaruar vetë procesin stërvitor.
KAPITENI BEQIRI – Në përfundim të stërvitjes së djeshme, për “Sport Ekspres” kapiteni i ekipit gjirokastrite, Orjad Beqiri, është shprehur: ”Jemi duke u përqendruar të puna për ndeshjen e ardhshme. Nuk duhet t’i bëjmë llogaritë se kishim tre takime në fushën tonë dhe duhet t’i fitojmë. Patjetër që duhen fituar, por nuk mjafton kjo. Fitoret duhet t’i kërkojmë ndaj çdo skuadre dhe në çdo fushë ku do të luajmë. Ndeshjet duhet t’i marrim me radhë dhe tani që kaluam Lushnjën jemi përqendruar te Teuta. Nuk mund të bëjmë krahasime se cili ekip është më i fortë dhe cili më i dobët. Të gjithë janë njëlloj dhe duan të njëjtin vlerësim.
“Me Lushnjën na duhej fitorja patjetër, për të kthyer besimin e munguar në takimet e mëparshme. Mund ta konsideroj jetike atë fitore, sepse imagjinoni sikur të mos kishim fituar. Na duhej ai trepikësh për t’iu larguar fundit të renditjes, por më shumë për anën morale, për të shtuar besimin se nuk duhet të jemi ne skuadra që të bjerë nga Superliga. Pikët e plota do t’i kërkojmë edhe ndaj Teutës dhe që të realizohet kjo na duhet përqendrim maksimal. Teuta është një skuadër që duhet respektuar sa të tjerat. Edhe ajo do të kërkojë fitoren në Gjirokastër, sepse javët e fundit ka lënë shumë pikë, ndërkohë që ne duhej të ishim më lart në klasifikim, po të bazohemi tek ajo çka kemi dhënë në fushën e lojës.
“Gabuam shumë ndaj Kamzës dhe nga ajo ndeshje duhet të reflektojmë. Kemi luajtur si të barabartë me ekipet e tjera,qoftë edhe me ato që nuk kemi mundur të marrim pikë. Me më shumë kujdes nga ana jonë, por do të shtoja edhe me një përkujdesje më të madhe nga gjyqtarët, do t’i largohemi fundit të renditjes. Na ka munguar edhe fati, sepse kemi goditur pesë herë shtyllat, por fati “duhet kërkuar” dhe këtë po bëjmë në këto ditë stërvitjeje, kërkojmë më shumë nga vetja, duke u stërvitur me më shumë seriozitet. Me ardhjen në drejtim të ekipit të trajnerit Hasan Lika duket qartë impenjimi makismal i çdo futbollisti, i kushtëzuar edhe nga komunikimi i drejtpërdrejtë. Kjo gjë ndikon në kryerjen sa më shpejtë dhe sa më mirë të veprimeve gjatë procesit stërvitor. Fitorja me Lushnjën është sinjali më i mirë se gjërat në skuadër po ndryshojnë për mirë dhe më mirë do të shkojnë në vazhdimi”.